Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka shpallur fillimin e procedurave për personat e interesuar që kërkojnë të aplikojnë për vendet vakante për dy sekretarë të përgjithshëm në institucionet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Personat e interesuar duhet të aplikojnë për këto vende brenda 20 ditëve dhe duhet të dorëzojnë pranë Presidencës të gjithë dokumentacionin, që vijon si më poshtë:
1- Kërkesë me shkrim;
2- Dokument që ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi ose në shkenca ekonomike me diplomë “Master i shkencave” në Shqipëri ose studimet universitare për drejtësi ose në shkenca ekonomike jashtë vendit dhe ka marrë një diplomë të njësuar sipas rregullave për njësimin e diplomave, të parashikuar me ligj;
3- Dokument që ka pasur një përvojë pune në nivel menaxherial dhe drejtues, jo më pak se 10 vjet;
4- Dokument që ndaj tij të mos të ketë nisur një hetim penal, të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
5- Dokument që zotëron shumë mirë gjuhën angleze;
6- Dokument që ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi, sipas legjislacionit, në momentin e aplikimit;
7- Dokument që nuk ka ushtruar funksione politike në administratën publike ose nuk ka mbajtur pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 viteve të fundit”, thuhet në njoftimin e Presidencës. /b.d