Monedha e përbashkët ka hyrë përsëri në një trend rënës, duke u këmbyer sot me 136.49 lekë.
Sipas aktorëve të tregut, këmbimi i euros me lekun tani është në gjendje të lirë (i lirë nga efektet), pasi ka përfunduar transferimi i fitimit të bankave të nivelit të dytë.
Sipas ekspertëve, këmbimi i euros me lekun do të luhatet në nivelin 136-136.5 lekë për një euro, ndërsa pritet që ky trend rënës të vazhdojë edhe përpara datës së pagimit të sigurimeve, kur bizneset nxitojnë të këmbejnë valutë për t’i paguar.
Në bursë, monedha euro ka shënuar rritje ndaj monedhave të tjera, duke reflektuar kështu një ofertë “të pazakontë” të monedhës europiane në vendin tonë, raporton “Monitori”.
Një vit më parë në të njëjtat data, këmbimi i monedhës euro luhatej rreth 138.5-139 lekë për një euro. Sipas ekspertëve, në periudhat e mëparshme, historikisht monedha euro vlerësohej ndaj lekut gjatë janarit dhe përgjatë mesit të muajit shkurt. Për këtë arsye, ata parashikojnë se gjatë verës, niveli i këmbimit me lekun do të arrijë në 133 lekë për euro.
Gjatë muajit dhjetor, këmbimi i euros me lekun arriti nivelin më të ulët të këmbimit prej nëntë vitesh, ku ofertës së pazakontë të euros iu shtuan dhe efektet sezonale, euro u këmbye me 134.3 lekë. Gjatë dy javëve të para të janarit, këmbimi i euros kapi nivelin e 137 lekëve duke u argumentuar nga aktorët e tregut me transferimin e fitimeve të kompanive jashtë./a.k