Policia italiane ka shkatërruar një tjetër bandë që trafikonte qenie njerëzore nga Afrika e Veriut, ndërsa në pranga kanë rënë 18 persona, mes tyre shqiptarë, sudanezë, egjiptianë dhe afganë. Shqiptarët e arrestuar janë Gazmir Ismailaj, Redon Shametaj dhe Neri Shametaj, ndërsa bazën e organizatës kriminale e kishin në Milano. Operacioni i policisë italiane u shtri në Milano, Genova, Reggio Emilia, Torino, Varese, Mantova, Reggio Calabria dhe Catania.
Organizata drejtohej nga egjiptianët, të cilët sipas përgjimeve të autoriteteve italiane kishin lidhje direkte me skafistët që bënin transportin e emigrantëve nga Afrika Veriore dhe Siria drejt Italisë. Pas mbërritjes në Itali, kundrejt një pagese emigrantët dërgoheshin drejt vendeve të Perëndimit. Udhëtimet realizoheshin me furgona dhe kamionë, apo edhe në bagazhe të makinave të vogla. /ma.me