Kryeministri Rama shkarkoi dje ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, pas takimit me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. Por shkarkimi i Manjanit nuk ishte një akt që nisi dhe mbaroi dje. Burime qeveritare, por dhe nga LSI, pohojnë se që prej tre muajsh, Kryeministri Rama i ka kërkuar aleatit të tij në koalicion, Ilir Metës, që ta zëvendësonte Manjanin me një tjetër emër nga partia e tij.
Por duket se kreu i LSI-së e ka lënë pa përgjigje këtë kërkesë të Kryeministrit për një kohë të gjatë, ndërkohë që ministri i LSI-së kishte nisur kritikat e tij ndaj Qeverisë në publik. Të dielën në mbrëmje, pas shumë telefonatash me kreun e LSI-së, Kryeministri Rama ka marrë përgjigje pozitive nga aleati i tij për largimin e Manjanit nga posti i ministrit të Drejtësisë.
Në media ky lajm u përhap menjëherë për të përgatitur opinionin për atë që do të ndodhte të hënën paradite. Por ishte vetë ministri Manjani, i cili pak para mesnate, përmes një statusi, përgënjeshtroi ato që mediat online kishin shkruar rreth një shkarkimi të mundshëm të tij nga Kryeministri Rama.
“Nuk kam dhënë dorëheqje nga detyra! S’më ka shkuar ndërmend një gjë e tillë! Nuk kam asnjë njoftim zyrtar që të jem shkarkuar”. Por çfarë kishte ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes të së dielës. Pasi Ilir Meta kishte pranuar kërkesën e përsëritur të Kryeministrit Rama për ta zëvendësuar ministrin Manjani, kreu i LSI-së i kishte kërkuar ministrit të tij që të jepte dorëheqjen. Por Manjani nuk kishte pranuar të largohej vetë.
PËRPLASJET
Që ditën që ka marrë postin e ministrit të Drejtë- sisë, pas dorëheqjes së një tjetër ministri të LSI-së, Nasip Naço, jurist në profesion, duket se Manjani nuk ka ndërtuar dot marrëdhënie normale, kryesisht me Kryeministrin Rama, por dhe me stafin e tij të ngushtë.
Ai mori detyrën kur Reforma në Drejtësi kishte hyrë në një fazë finalizimi të saj dhe emërimi i tij në këtë post u duk sikur zhbllokoi disa momente të kësaj reforme. Por mësohet se Manjani ka debatuar vazhdimisht me Kryeministrin gjatë mbledhjeve të Këshillit të Ministrave.
Mjaft prej kolegëve, ministra të PS-së, e cilësojnë Manjanin si arrogant gjatë debateve në mbledhjet e qeverisë. Ministria e Drejtë- sisë ka qenë oponente e VKM-ve dhe projektligjeve që kalonin në të. Kjo ka krijuar një marrëdhënie të vështirë personale mes tij dhe Kryeministrit Rama, që gjente vazhdimisht një kundërshtar brenda kabinetit pothuajse për çdo akt të qeverisë.
Por këto qëndrime nuk e kishin shqetë- suar aq shumë Kryeministrin Rama, për sa kohë ato artikuloheshin brenda mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Por kur ministri i tij nisi të bëjë kritika në publik dhe në media për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, Reformën në Drejtësi, kryesisht vetingun, duket se kjo ka sjellë dhe ndarjen përfundimtare të kësaj bashkëjetese të sikletshme brenda qeverisë.
Intensifikimi i kërkesës së Kryeministrit për largimin e Manjanit solli si reaksion edhe reagimet e disa përfaqësuesve të lartë të LSI-së, si ministri i Mjedisit, Lefter Koka, dhe deputeti i qarkut të Gjirokastrës, Vangjel Tavo, që shënjestruan ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe punën e Policisë së Shtetit. Por në fund ishte Manjani ai që u largua, dhe jo Tahiri. panorama
ma.me