Sipas Ballës, kritikat e ministrave të LSI-së duhet të ishin adresuar në rrugë institucionale dhe jo nëpër ekranet e televizioneve.
“Ajo që do të theksoja se s’ka qenë e mirë dhe nuk është e pranuar, është që një ministër të kritikojë kolegun e tij në qeveri në këto rrethana. Pra, nëse ke dështuar që shqetësimin tënd ta ngresh në struktura, nëse një ministër socialist do të kritikonte një ministër të LSI-së në publik, pa e ngritur atë në mbledhje të qeverisë, grupit parlamentar socialist, pa i kërkuar një takim kryetarit të grupit parlamentar të LSI apo të kryetarit të LSI dhe kryetarit të Kuvendit, atëherë merr vlerë kritika, pasi në të kundërt tregon sesi hidhet një inat personal, apo është një lojë politike me të cilën nuk ka kohë të merret njeri”, u shpreh Balla.
Deputeti socialist theksoi se koalicioni me LSI-në do të vijojë dhe në këtë funksion, në adresë të LSI-së ka mbërritur ftesa e PS-së që në dhjetor të vitit të kaluar.
“LSI-në e kemi ftuar në dhjetor të vitit të kaluar që të firmosim përsëri një kontratë për të bashkëqeverisur. LSI le të bëjë zgjedhjet e veta në të drejta te tyre për të zgjedhur. Ne si PS jemi të bindur që kemi ditur në mënyrën sesi kemi qeverisur këtë vend, në mënyrën sesi kemi çuar përpara reforma shumë të rëndësishme, të bindur që e kemi futur Shqipërinë në rrugën e duhur në çdo sekond“, theksoi Balla.
Ndërkaq, në cilësinë e kryetarit të komisionit hetimor për CEZ, Balla kujtoi se dëshmitarët të cilët kanë refuzuar komisionin do shoqërohen me forcë nga policia. Për të dëshmuar është thirrur edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ka qenë një fundjavë e trazuar ditët e fundit. Pyetja është e drejtpërdrejtë, a ekziston kjo mazhorancë?
E para, duhet të kuptojmë që mungesa e opozitës ka bërë mazhorancën që të krijojë opozitë brenda vetes, sepse gjëja që s’duhet të ketë mangët një vend, është mungesa e një opozite, e cila të dijë të bëjë detyrën e vet. Së dyti, unë vlerësoj që është e papranueshme që ministra të caktuar të qeverisë të kritikojnë kolegët e tyre nëpër banaqe televizionesh. Ministrat kanë të gjithë mundësinë që kritikat e tyre t’i bëjnë në mbledhjen e qeverisë, pranë kryeministrit, pranë kryetarit të Kuvendit, të cilët janë dy bashkëkryetarët e Aleancës për Shqipërinë Europiane.
Duhet transparencë ndaj publikut…
Unë jam i drejtpërdrejtë dhe përpara se të ta them kur të kam koleg, përpara se të ta them në televizion, minimalisht duhet të ta them sy më sy dhe duhet t’ia them grupit me të cilin punoj. Jam aq i përgjegjshëm politikisht sa e di që në fund të fundit ka një strukturë të bashkëpunimit të koalicionit, aleanca drejtohet nga dy bashkëkryetarët, por edhe ka një strukturë shumë të mirë komunikimi ndërmjet forcave politike që kanë rënë dakord që në të qeverisim së bashku. Ajo që do të theksoja se s’ka qenë e mirë dhe nuk është e pranuar, është që një ministër të kritikojë kolegun e tij në qeveri në këto rrethana. Pra, nëse ke dështuar që shqetësimin tënd ta ngresh në struktura, nëse një ministër socialist do të kritikonte një ministër të LSI-së në publik, pa e ngritur atë në mbledhje të qeverisë, grupit parlamentar socialist, pa i kërkuar një takim kryetarit të grupit parlamentar të LSI apo të kryetarit të LSI dhe kryetarit të Kuvendit, atëherë merr vlerë kritika, pasi në të kundërt tregon sesi hidhet një inat personal, apo është një lojë politike me të cilën nuk ka kohë të merret njeri.
Z.Manjani ka thënë se i ka shprehur në mbledhje qeverie, takimin me kryeministrin…
Këto z.Manjani i tha pasi ishte shkarkuar. S’dua të bëj asnjë komenti mbi ato që tha ish-ministri Manjani, sepse jam shpresëplotë që personi i propozuar nga LSI, z.Vasili, ka të gjithë eksperiencën e duhur, për të qenë një ministër i denjë në kuadër të qeverisjes sonë.
Z.Vasili ka qenë kritikues…Mediat janë shprehur që ka porositur grupin parlamentar të LSI që kujdes se policia mund t’iu fusë drogë në makinë…
Nuk besoj se ka thënë z.Vasili këtë. Këto janë metoda të Sali Berishës që i bënte përmes Agron Kuliçit. Kur ne ishim në opozitë gjithmonë kemi pasur nga pas njerëz nga strukturat policeske të Berishës për të na njollosur. Në këto tre vjet kemi një polici shteti shumë të depolitizuar, madje ka plot deputetë që ankohen pse policia iu vendos gjoba, pse policia s’do ta dijë nëse je deputet i PS, PD, apo se mund të jesh i LSI, përpara ligjit jemi një lloj të barabartë. Unë kam paguar gjobë kur kam parkuar gabim, pavarësisht se kjo gjë ishte e paimagjinueshme deri në 2013-ën. Keni dëgjuar të gjobitet ndonjë deputet i PD përpara 2013-ës? S’ke dëgjuar. Historia që supozohet për urdhra nuk ekziston. Policia është e depolitizuar. Ajo që e bën edhe më të besueshme janë qytetarët të cilët janë intervistuar në një sondazh të Këshillit të Europës, i botuar njëkohësisht në shumë vende, të cilët besojnë te Policia e Shtetit.
A ekziston kjo mazhorancë apo jo?
Mendoj se ekziston. Kemi një marrëdhënie kontraktuale me aleatin tonë në qeverisje, LSI-në, po ashtu i kemi bërë ftesën, ashtu siç kemi bërë edhe 4 vite më parë, pavarësisht se ku ndodhej, që të bashkëqeverisim bashkë, sepse opsioni ynë për mënyrën si e shohim qeverisjen, nuk është vetëm ccështje numrash. Por për të ccuar përpara reformat që kemi nisur, për të hapur shtigje të reja reformash, në sektorë shumë jetikë në 4 vjeçarin e ardhshëm, duhet të kemi një mazhorancë më të madhe se mazhoranca absolute, një mazhorancë të cilësuar, që do të garantonte miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Në përpjekjen për të çuar reformat përpara, çdo mazhorancë e shtrënguar nga numrat, nuk do të bënte dot reforma. LSI-në e kemi ftuar në dhjetor të vitit të kaluar që të firmosim përsëri një kontratë për të bashkëqeverisur. LSI le të bëjë zgjedhjet e veta në të drejta te tyre për të zgjedhur. Ne si PS jemi të bindur që kemi ditur në mënyrën sesi kemi qeverisur këtë vend, në mënyrën sesi kemi çuar përpara reforma shumë të rëndësishme, të bindur që e kemi futur Shqipërinë në rrugën e duhur në çdo sekond.
Ju prisni përgjigje por një përgjigje indirekte e keni marrë. Me përjashtim të Metës, të gjithë zyrtarët e tjerë të LSI-së, kanë ndërmarrë sulme ose kundër kryeministrit ose kundër qeverisë…
Kush janë këta? Njëri që ndërmori, u shkarkua nga LSI-ja.
Z.Koka ishte edhe më agresiv se z.Manjani…
Është për të ardhur keq që kjo lloj linje shprehet nga ministra të LSI-së, ndërkohë që plot kolegë deputetë të LSI-së kanë komplet qasje të ndryshme nga kjo që thonë këta. S’dua të futem në emra deputetësh, ajo që po them është në të gjithë këtë histori e rëndësishme është që kur bashkëkryetari i aleancës tonë z.Meta, nuk ndan të njëjtin qëndrim me ministrat e tij. Një ministër, në mënyrë jo etike sulet në ekrane ndaj një kolegu, kjo është çështje e mënyrës sesi ai ministër e sheh karrigen që mban. Është për të ardhur keq që ka atë sjellje me kolegët, në një kohë kur kryetari i Kuvendit ka një qasje tjetër. Nëse LSI s’do të vijë me ne, me Aleancën për Shqipërinë Europiane, kjo aleancë e drejtuar nga PS, do të vazhdojë. Si me LSI-në, si pa LSI-në, ajo drejtohet nga PS.
I keni numrat?
Tashmë numrat do të shkojnë të verifikohen te qytetarët dhe jam i bindur që qytetarët do t’i japin mbështetjen e duhur kësaj aleance për të qeverisur. Ftesa për LSI nuk është thjesht për të qeverisur. Nëse një ministër i PS do të kishte kritikuar në atë formë një ministër të LSI-së, unë do të kisha kritikuar ministrin e PS-së dhe sigurisht jkryesia e PS, kryetari i PS, i grupit parlamentar do kishin kërkuar shpjegime institucionale. E rithem se është e papranueshme, jo etike që një inat personal ta kthesh në një kauzë pa asnjë lloj baze. Të dalë një ministër de të akuzojë kolegun se gjoja policia e shtetit në Durrës po punonka kundër LSI-së, s’ka asnjë lloj baze.
Z.Koka paralajmëroi që me këtë polici do të vidhen votat, pra LSI-së do i vidhen votat në Durrës… Në këtë rast ky koalicion ka rënë…Pse për z.Kkoka nuk u mor kjo masë?
Shkarkimi i z.Manjani nuk ka ardhur për shkak të deklaratave. E para, kryeministri ruan të drejtën e shkarkimit të ministrave sipas Kushtetutës. Sot keni pasur një njoftim për shtyp nga Kryeministria ku shpjegohet arsyeja e shkarkimit dhe një nga LSI ku thuhet se z.Manjani është zëvendësuar me z.Vasili. Zëvendësimet u bënë në konsensus të plotë me LSI-në. Arsyet e shkarkimit mund të jenë pafund, mungesë performance në detyrë, marrëdhënie institucionale etj. Kur PS dëshiron të zëvendësojë një ministër, është çështje ekskluzive e Partisë Socialiste, kur LSI dëshiron të zëvendësojë një ministër është gjithashtu çështje ekskluzive e LSI-së.
Pra e ka zëvendësuar LSI-ja z.Manjani?
Këtë nuk e di, por për mua e rëndësishme është që personi që është emëruar në detyrën e ministrit të Drejtësisë, Petrit Vasili është një njeri që eksperienca e tij më bën të jem i sigurt që në krye të Ministrisë së Drejtësisë kemi një person shumë të përgjegjshëm.
Kryetari i Kuvendit ka kërkuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për arretimin e Balilit. PS do të shkojë në këtë mbledhje?
Do ishte mirë që Kuvendi të përdorte mekanizmat e vet informues përkundrejt institucioneve të veta të vartësisë, përfshirë edhe ekzekutivin, për t’u informuar për zbatimin e ligjit lidhur me ndalimin e Kelmend Balilit. Kuvendi është autoriteti më i lartë, jo vetmë ligjvënës, por edhe monitorues për zbatimin e ligjit. Sa kohë që kjo çështje është çështje e raportimit të ministrave të linjës, Kuvendi mund të zhvillonte edhe një seancë të mbyllur parlamentare, kur diskutohen ccështje të Sigurisë Kombëtare.
A tregon kjo se z.Meta nuk ka besim te ministri?
Edhe te Këshilli i Sigurisë Kombëtare përsëri do të raportojë ministri i Brendshëm, Drejtori i Policisë, Prokurori, ministri i Drejtësisë, Sheshi i Shërbimit Shtetëror. Të pesta këto autoritete janë në vartësi të Kuvendit nga pikëpamja e raportimit. Mund të bëhet edhe një seancë dëgjimore në një prej komisioneve, ose dy komisione bashkë. Mund të ngrihet edhe një komision hetimor. Sa kohë që policia e Shtetit ka ndjekur të gjitha procedurat për mënyrën e ndalimit të këtij personi, unë nuk gjej arsye të them se është cenuar Siguria Kombëtare. Shqipëria sot ka mbi 500 persona në kërkim për vepra të ndryshme penale. Për Balilin, për më shumë se trafikimi, konsiderohet si kreu i një organizate kriminale që ka lidhjet e veta jo vetëm në Shqipëri dhe Greqi, por përsa kohë ka hyrë në radarin e DEA-s dhe kjo nuk merret me kanabis, por me drogëra të forta, është një person që duhet arrestuar domosdoshmërisht.
Pas dy muajve, apo deri në 1 prill, prisni një stabilitet të këtij koalicioni, apo mund të ketë një ndarje edhe de jure?
Aleanca për Shqipërinë Europiane do të vijojë edhe në prill, do të vijojë edhe në shtator, për të çuar përpara reformat që kemi nisur.
Me LSI apo pa LSI?
LSI është ftuar të jetë pjesë e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane. ASHE është e gatshme që bashkë me LSI të jemi në të njëjtin drejtim me qëllim që këto reforma që kemi nisur së bashku t’i përfundojmë. Nëse mbani mend, në 2013-ën unë kam qenë një prej bashkëlexuesve të marrëveshjes me LSI dhe nëse dikush do ta lexojë me vëmendje atë që marrëveshje që kemi, nuk bëhej fjalë për të qeverisur 4 vjet së bashku.
I ka qendruar PS marrëveshjes?
Fjalë për fjalë.
Atëherë pse ky tension nga LSI?
Për mua, në atë marrëveshje që kemi me LSI, asnjë nga argumentet që ngrihen nuk janë pjesë e marrëveshjes. Në atë kohë e kemi thënë shumë qartë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, që të çelë negociatat me BE-në. Dhe kjo është marrëveshja që kemi me LSI-në, për t’i shërbyer Shqipërisë dhe për të mundësuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Qeveria sapo erdhi në pushtet mori statusin e vendit kandidat. Pas kësaj arritëm që të bindim PD-në që të votonim në Kuvend reformën në drejtësi. PD ka treguar prej ditës së parë që është kundër reformës në drejtësi.
A jeni të gatshëm që t’i jepni LSI-snë postin e Presidentit?
S’do shprehesha kurrë në publik për një marrëveshje që është brenda koalicionit për këtë çështje. Nëse LSI do ketë një emër të gjithëpranuar, pse jo, por sigurisht, unë bëj pjesë te ata njerëz që PS ka plot emra që mund t’i ofrojë për pozicionin e nderuar të Presidentit. Çështja e presidentit s’duhet parë si një pozicion që ky i përket PS-së apo ky i përket LSI-së. Pozicioni i Presidentit, rasti më i keq i emërimit të Presidentit është rasti i vitit 2012, kur Sali Berisha u imponua brenda aleancës së tij, në atë kohë me LSI, për të vënë Bujar Nishanin President. Nuk e meriton Shqipëria mazhorancën me mënyrën si u soll. Ne do të zgjedhim Presidentin, por jo me imponime nga partia e madhe tek partia e vogël. Ne duhet të shkojmë te emri i Presidentit, në një proces shumë ndryshe nga sa është ndjekur më parë. Ju e dini që në atë kohë u ra dakord për një emër dhe në mëngjes shkoi një emër tjetër. Atë zotërinë e shoqëroi Garda, pastaj shkoi tjetri. /a.m.