Komisioni i jashtem i Parlamentit Evropian ka nisur diskutimet dyditore rreth raportit të eurodeputetit Knut Fleckenstein për ecurinë e reformave në Shqipëri.
Në paraqitjen e draft-raportit, Fleckenstein u shfaq kritik për vonesat e deritanishme në zbatimin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe në ndryshimet në Kodin Elektoral.
“Ajo që ne presim nga Shqipëria është zbatimi i plotë i reformës në drejtësi, jo vetëm shfaqje spektakolare individësh, por angazhim afatgjatë për rezultate të prekshme në luftën ndaj krimit të organizuar. Nuk na mjafojnë hetime të policisë, por duhen ndëshkime në nivele të larta që të këputen lidhjet e politikës me rrjetet kriminale. Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është thelbi i reformës në drejtësi, ndaj duhet shpejtuar në realizimin e procedurave teknike në këtë drejtim”, deklaroi Fleckenstein.
Të djathtët evropianë të drejtuar nga Eduard Kukan këmbëngulën që zgjedhjet parlamentare të shërbejnë si test prove për autoritetet shqiptare për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
“Zgjedhjet parlamentare janë një test i qartë që do të na tregojë neve në Parlamentin Evropian nëse Shqipëria është gati për të marrë një datë për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit”, tha Ilhan Kyuchyuk.
Eurodeputetët tërhoqën vëmendje edhe ndaj numrit të madh të azilkërkuesve nga Shqipëria në Evropën perëndimore.
“Ka patur një fluks të madh azilkërkuesish nga Shqipëria drejt vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, çka është e palejueshme për një vend kandidat për anëtarësim në këtë familje, duke shkelur edhe kriteret e Kopenhagenit. Po ashtu jam tepër i shqetësuar nga xhihadistët shqiptarë dhe masat që duhen marrë për ndëshkimin e tyre për akte kriminale kur të kthehen në vendlindje”, nënvizoi Charles Tannock raporton tch.
Gjatë debatit eurodeputetët grekë akuzuan Shqipërinë për pretendime territoriale ndaj fqinjit jugor dhe shkatërrim të kishave ortodokse të minoritetit.
Të martën diskutohen 231 amendamentet që i paraprijnë rezolutës së Parlamentit Evropian për Shqipërinë, që miratohet në prag të zgjedhjeve të qershorit.