Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në konferencën e sotme për shtyp theksoi se ai pret që presidenti Gjorge Ivanov t’ia dorëzon mandatin për formimin e qeverisë.
“Nikolla Gruevski kurrë më nuk do të jetë kryeministër. U dëshmua se Gruevski nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë. VMRO-DPMNE dje edhe zyrtarisht humbi mundësinë për të formuar qeverinë. Maqedonia nuk ka kohë për të humbur, proceset demokratike kanë filluar, dhe atë e kanë zgjedhur qytetarët. Pres që Ivanovi të ma dorëzojë mandatin. Të gjitha opsionet e tjera do të shkelin Kushtetutën”- tha Zaev.
Ndërkohë në lidhje me platformën shqiptare, Zoran Zaev tha se “Kemi qëndrim thelbësor edhe për Platformën Shqiptare. Shpresoj se do ta fitojmë mandatin që menjëherë t’i themi qëndrimet tona. Ne kemi punuar për një shoqëri për të gjithë. Qëndrimi ynë është qytetari për në Qeverinë e re. Jemi pozitiv në këtë aspekt. Nëse na jepet mandati do t’i hapim për diskutim çështjet”.
Zaev tha se ka biseduar për këto parime me tre nënkryetarët e BDI-së, dhe se ky subjekt është në dijeni për qëndrimin e saktë të LSDM-së rreth “platformës shqiptare”. Ai tha se Maqedonia nuk ka kohë për të humbur “qytetarët kanë vendosur dhe unë pres që Ivanovi të ma dorëzojë mandatin, përndryshe do të ishte shkelje e funksionit”.
“Qytetarët zgjodhën ndryshime. Patjetër të formohet Qeveri e cila do t’i përfaqësojë interesat e qytetarëve. Na duhet Qeveri stabile dhe të përgjegjshme e cila do të udhëheqë politikë reale. Ajo është afrim në rrugën euro-atlantike. Ne do t’i zbatojmë reformat e Përzhinës dhe reformat e Pribesë. Qeveria jonë do të garantojë se pavarësisht ndarjes politike apo nacionale, do të jenë të barabartë. Këtë ua kemi premtuar qytetarëve. Maqedonia është e pjekur për politika të reja dhe reale në interes të qytetarëve”. Por, çka nëse Ivanov nuk ia jep mandatin LSDM-së?
“Nëse Ivanov s’na jep mandatin, ka zgjidhje. Ndryshimet do të ndodhin dhe unë pres që sa më shpejt të ma jep mandatin Ivanov. Nëse atë e bën, ajo është kundër-kushtetuese”, u përgjigj Zaev.
Nikola Gruevski nuk arriti që ta formojë qeverinë me BDI-në, meqë nuk i plotësoi kushtet e kësaj partie shqiptare, e cila kërkoi vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Publike Speciale, decentralizimin fiskal dhe dygjuhësinë.
ma.me