Pamjet e dhunës të shfaqura gjatë protestës së tifozëve pak ditë më parë në kompleksin “Skënder Halili”, kanë lënë një shije të hidhur te një pjesë e mbështetësve të bardhebluve. Një prej tyre është edhe Bamir Topi, ish-presidenti i Republikës dhe njëherësh i 24 herë kampionëve të vendit.
Ai njihet si një tifoz i zjarrtë i kryeqytetasve, ndaj nuk ka hezituar që për “Top Channel” të japë opsionin e tij rreth përleshjeve të së mërkurës, por jo vetëm. Topi deklaron se tashmë nuk i njeh më tifozët e Tiranës, madje tashmë përkrahës i kësaj skuadre mund të jetë kushdo, derisa qyteti është zgjeruar ndjeshëm.
“Unë nuk jam në gjendje të them sot se kush është tifoz i Tiranës. Dikur e thosha, por sot Tirana është një qytet i madh dhe heterogjen, dhe është e drejta e gjithsecilit ta ndjekë Tiranën e të jetë tifoz i saj. Por jam i bindur për një gjë: qytetar i Tiranës së vjetër me siguri nuk është”, thotë ish-presidenti i nderit të Tiranës.
Sipas Topit, kultura e dhunës tashmë është normale në çdo fushë, madje edhe ata që i drejtojnë skuadrat kanë të njëjtin mentalitet. “Ai që ka një kulturë provinciale duhet t’i nënshtrohet kulturës së qytetit. Kjo vlen për politikën në Parlament, për stadiumet, për mënyrën e menaxhimit të klubeve, ku njerëz pa asnjë pasion për sportin vijnë me kulturën e dhunës dhe marrjes së aseteve”, shprehet Topi, duke u bërë apel në një lloj forme tifozëve që t’u shmangen skenave të dhunës, pasi kjo nuk është forma e duhur për të pretenduar marrjen e aseteve.
A duhet apo jo Partizani të luajë në “Selman Stërmasi”? Ka qenë pikërisht kjo pyetja që hapi aq shumë debat dhe pas vendimit u shoqërua me incidente. Në lidhje me këtë, Topi mendon se moslejimi i të kuqve në atë stadium nuk i rikthen dinjitetin klubit më të titulluar në vend. Prioritet i Tiranës, sipas tij, duhet të jetë rikthimi i skuadrës dinjitoze në fushë, që do t’i shkonte për shtat edhe historisë që ka.
“Tiranës nuk i kthehet dinjiteti, jo duke u marrë me ‘kullën e barit’, por duke marrë atë kështjellë morale që i takon sportit, për t’i kthyer Tiranës atë ekip dinjitoz që ka në historinë e vet”, përfundoi Bamir Topi./tch/a.k