Përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës kërkojnë të jenë pjesë e bisedimeve Kosovë – Serbi në Bruksel. Ata thonë se që nga fillimi i bisedimeve me Serbinë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e të Medvegjës nuk kanë përfituar asgjë. Madje këto bisedime kanë rënduar edhe më shumë gjendjen e shqiptarëve në atë pjesë, shkruan gazeta Zeri.
Që nga fillimi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, të cilat në vazhdimësi janë ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe janë mbajtur në Bruksel, çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është anashkaluar nga të dyja shtetet. Madje Lugina ka mbetur e anashkaluar nga dy qendrat për hesape të veta.
Përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës tani kanë kërkuar që çështja e shqiptarëve të atjeshëm të jetë një nga parakushtet e Kosovës për bisedime me Serbinë.
Sipas tyre, pa çështjen e Luginës në bisedime me Serbinë nuk mund të flitet për bisedime midis dy palëve të barabarta pasi që serbët në Kosovë fitojnë çdo gjë të mundshme, ndërsa shqiptarëve u shkelen të drejtat themelore.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë për “Zërin” se Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë e dialogut me Serbinë. Sipas tij, nëse kjo gjë nuk mund të bëhet me përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës atëherë së paku kjo çështje, e në veçanti çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në Luginë, duhet të iniciohet në dialogun Kosovë – Serbi. (b.an)