Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi hedh dritë mbi ngritjen e Komisionit Hetimor për Çështjen Çame. Në një intervistë të dhënë për gazetën “TemA”, Idrizi paralajmëron se nëse Konferenca e Kryetarëve do të gjejë shkas për të mos votuar, atëherë çështja do t’i kalojë seancës plenare.
I pyetur nëse ka një krisje marrëdhëniesh mes PDIU-së dhe LSI-së, ai argumenton se nuk ka asgjë serioze rreth zërave të ngritur pasi ato nuk përfaqësojnë zërin zyrtar të partisë.
Ndër të tjera, Idrizi flet edhe për raportet e tensionuara me fqinjët, duke thënë se debatet e fundit janë ngritur artificialisht nga pala greke për shkak të zgjedhjeve politike.
Po diskutohet për ngritjen e një Komisioni Hetimor për “çështjen came”. Çfarë prisni se do të zgjidhë?
Ky Komision Hetimor do të zgjidhë dy çështje të mëdha.
E para, do të zbardhë krejtësisht, pas 73 vjetësh masakrën që ndodhi mbi popullsinë e pambrojtur civile të shqiptarëve të Çamërisë. Do të dalë më në fund ditës për diell e vërteta e këtij genocidi që ngarkon ndërgjegjet me mëkatin e fajit si në Greqi, ashtu dhe në Shqipëri. Kjo do të realizohet nëpërmjet dokumentëve arkivorë historikë që dëshmojnë se si nazifashistët grekë kryen spastrimin e trojeve etnike të Çamërisë. Post këtyre,në Komision do të thirren dëshmitarë të gjallë, të mbijetuar të kësaj tragjedie kombëtare.
Besojmë se është në nderin e këtij parlamenti që të dëgjojë të mbijetuarit e masakrave të Çamërisë që janë në limitet e moshës e t’i mbajë në recordet e saj
E dyta, nëpërmjet këtij Komisioni do t’i jepet mundësia e artë ndërgjegjes greke të munduar nga krimi i tmerrshëm për të gjetur paqe. Kjo paqe për vendin fqinj vjen nëpërmjet ndjesës. Askush nuk kërkon hakmarrje, por të gjithë kërkojnë të falin.
PS dhe LSI theksojnë se kjo kërkesë është jashtë juridiksionit të tyre dhe se hetimi për genocid është penal. Çfarë hapi do të ndërmerrni, nëse nuk e votojnë kërkesën tuaj?
Në fakt është për të ardhur keq që ndërsa Parlamenti i Greqisë do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për gjestin me shqiponjë të disa të rinjve rekrutë qytetarë grekë me kombësi shqiptare, Parlamenti i Shqipërisë dhe sidomos disa eksponentë të njohur si filo-grekë, nëpërmjet byrosë parlamentare vërdalloset e merr kohë për ngritjen e një Komisioni ad-hoc për zbardhjen dhe dokumentimin e “çështjes came”.
Diskutimi për ngritjen e Komisionit Hetimor për zbardhjen dhe dokumentimin e Çështjes Çame do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme sepse u kerkua më shumë kohë e diskutime paraprake.
Më falni, përse nuk ishte jashtë juridiksonit Komisioni Hetimor për masakrën e Tivarit? Përse nuk ishte hetim penal atëherë? Këto janë pretekste, të cilat synojnë mosngritjen e këtij Komisioni. Po kështu, tani kanë nxjerrë edhe tezën e mungesës së kohës fizike, meqë Kuvendi së shpejti do të shpërndahet si pasojë e zgjedhjeve të reja. Të jenë të sigurtë që koha është krejt e mjaftueshme, ndërsa puna e këtij Komisioni do të jetë krejt e disiplinuar brenda një agjende të mirë menduar.
Nëse javën e ardhshme Konferenca e Kryetarëve do të gjejë një tjetër sebep për të mos e ngritur këtë Komision, atëherë i takon seancës plenare ta vendosë me votim. Jam i bindur që shumica e deputetëve të mazhorancës është e gatshme t’i hapë dritën e gjelbër këtij Komisioni. Po kështu, në bazë të disa informacioneve ju bëj me dije që edhe opozita ka gjasa shumë të mira të votojë për ngritjen e këtij Komisioni.
Cili është opinioni juaj lidhur me tensionin e krijuar mes Shqipërisë dhe Greqisë? E shihni thjesht si reagim ndaj gjestit të ushtarëve grekë me origjinë shqiptare apo ka diçka më shumë rreth saj?
Jemi sërish para një paradoksi tipik të vendit fqinj. Ushtarët shqiptarë që shërbejnë në Ushtrinë Greke nuk kanë bërë asgjë shqetësuese, thjesht kanë formuar simbolin e kombësisë së tyre.
Nëse këtë demonstrim e kryen një minoritar që shërben në Ushtrinë Shqiptare, një gjë e tillë nuk e bezdis shqiptarin.
Një veprim i tillë nuk mërzit apo alarmon askënd në Itali, Spanjë, Francë, Gjermani apo Shtetet e Bashkuara, por përkundrazi.
Unë mendoj që kemi të bëjmë me një ngritje artificiale të tensionit politik në Greqi si pasojë e zgjedhjeve politike të afërme dhe rënies së besueshmërisë tek qeveria apo partnerët e saj në koalicion si “Grekët e vjetër” të Panos Kamenos.
Po kështu, mendoj që me këtë rast nacionalistët grekë në qeveri duan të gjejnë shkak për të hequr dhe ndaluar dhënien e shtetësisë greke për emigrantët, të cilët u bënë çerek shekulli që jetojnë atje. Kjo shtetësi nuk është dhuratë, por detyrim që ka një vend anëtar i BE-së ndaj emigrantëve të ligjshëm.
Sipas mediave greke, fajtore për gjestin e të rinjve është propagandimi i “çështjes came”…
Nuk e kuptoj ku është lidhja këtu. Ata bënë shenjën e simbolit të shqiponjës. Ky simbol është përbashkues si për shqiptarët e Çamërisë, ashtu edhe për ata të Elbasanit, Shkodrës, Kosovës, Malit të Zi apo Preshevës. Si me këtë foto, si pa këtë foto, Çështja Çame do të jetë në krye të agjendës së Shqipërisë, derisa të gjejë zgjidhje.
Ndaj, kjo ngjarje as e shpejton, as e ngadalëson Çështjen Çame. Ata që bëjnë një lidhje të tillë janë dritëshkurtër dhe mendjembyllur.
“Çështja came” është çështje drejtësie, ta harrojë çdo njeri që e sheh si monedhë shkëmbimi apo si peng.
Shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre në liri e demokraci dhe ne e ndjekim me shumë vullnet kete qasje kundër diskriminit apo shkeljeve të të drejtave themelore të njeriut.
Afrimi i PDIU-së pranë Partisë Socialiste duket se ka shqetësuar aleatin tjetër, Lëvizjen Socialiste për Integrim. LSI-në e shihni si aleate apo si kundërshtaren tuaj brenda koalicionit qeversisës?
Kjo është një pyetje e mirë për LSI-në dhe Partinë Socialiste. Ne nuk jemi afruar askund. Ka qenë një ftesë e dy drejtuesve të aleancës në qeveri për përfshirjen e PDIU-së në këtë koalicion me rastin e reformës administrative, ku kontributi ynë ka qenë i çmuar. Ftesa ka ardhur nga Edi Rama dhe Ilir Meta dhe ne ju përgjigjëm pozitivisht. Kemi dalë bashkë në zgjedhjet vendore dhe kemi fituar bashkë. Atëherë nuk pati as xhelozi, as mëri apo qejfmbetje, ndaj nuk ka pse të ketë as tani që po flasim. Koalicionet nuk janë marrëdhënie dashurie, ku ka kohë të mirë apo të keqe, por marrëveshje politike, të cilat fillimisht shkruhen në një letër, nënshkruhen e pastaj zbatohen. Kaq e thjeshtë është.
Përse mendoni se ka dalë LSI kundër PDIU-së, kur ka qenë vetë Meta që e afroi në koalicion?
Shoh zëra kundër, por jo LSI-në kundër. Gjithësesi pyeteni vetë zotin Meta, pasi mua nuk më ka shprehur një gjë të tillë. Madje, publikisht ka thënë se kemi të bëjmë me qëndrime individuale të drejtuesëve të LSI-së, jo linjës zyrtare të saj. Nëse do të shpreheshin kundër forumet drejtuese të LSI-së apo institucioni i kryetarit të kësaj partie, atëherë po që mund të themi se çështja është serioze dhe ka për të pasur përgjigje zyrtare. Unë jam kryetar i një partie parlamentare, jo analist shtypi që të përfshihem në polemika dhe replika gazetash.
Gjykoni se PDIU po përdoret nga Edi Rama si “presion” për kreun e LSI-së Ilir Meta?
Sa herë duhet ta them hapur dhe publikisht që PDIU nuk është as shpata, as jastëku i askujt. As përdorim të tjerët, as do lejojmë që të na përdorë kush. Ne jemi në politikë për të realizuar kauzat tona, mbi të gjitha Çështjen Kombëtare. Nuk jemi në politikë as për kulisa, as për intriga korridoresh.
A ka shanse që dyshja PS dhe PDIU mund t’i fitojë zgjedhjet pa bashkëpunimin e LSI-së?
Ka vetëm një shans që zgjedhjet nuk fitohen në tavolinë duke bërë llogari numrash dhe hesape sondazhesh. Zgjedhjet fitohen në terren duke folur me votuesit, duke bërë koalicione apo marrëveshje politike. As unë, as PDIU nuk jemi marrë kurrë me llogaritje të tilla, e aq më tepër në kurriz të palëve të treta.
Një gjë mund t’iu garantoj, PDIU do të ketë shumë më tepër mandate se sa ka sot dhe do jetë më tepër e konsoliduar.
Më duhet të falenderoj për këtë edhe “Idiotët e dobishëm të Athinës” që na kanë vendosur përditë në “syrin e ciklonit”./TemA/a.m.