Pasi i bën copë zyrtarët e lartë të qeverisë italiane mbi të ashtëquajturën afera e përgjimeve, zyrtarët e PD-së trokasin në derën e qeverisë italiane për votimin elektronik. Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, gjatë takimit me zv.Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Vincenzo Amendola është shprehur se votimi elektronit është thelbësor për shmangien e blerjes së votës.
“Jemi të shqetësuar”, tha Spaho, duke shtuar se, “mazhoranca është duke lejuar kultivimin e kanabisit, për të blerë më pas votat”. “Zgjedhjet në Shqipëri kushtojnë më shumë se vendet e zhvilluara dhe votimi elektronik do të shkurtonte fondet dhe do të lehtësonte buxhetin e shtetit. Në Shqipëri nuk ekziston një mekanizëm për të bërë zgjedhje transparente. Nëse duhet kohë, jemi të lirë të presim derisa të garantohen zgjedhje, rezultati i të cilave do të pranohen nga të gjitha palët”, u shpreh Spaho, bëhet e ditur, sipas njoftimit për shtyp të PD. Sipas tij, mazhoranca nuk është e gatshme dhe nuk ka vullnet për të lënë të lirë vullnetin e qytetarëve për të votuar. Sot ka ende kryetarë bashkie, si rasti në Kavajë dhe Krujë, të dënuar për krime dhe ende mbajnë detyrën. Pas tyre qëndrojnë njerëz të inkriminuar të cilët rrezikojnë procesin zgjedhor. Ne kemi kërkuar që në vitin 2015 për të diskutuar në lidhje me garantimin e votës, votimin dhe numërimin në mënyrë elektronike, por mazhoranca nuk ka shprehur vullnet”, tha Spaho.
Vetëm pak muaj më parë lidershipi i PD-së sulmoi ashpër qeverinë italiane, duke e akuzuar si të përfshirë në të ashtëquajturën “aferë e përgjimeve”, duke nënvizuar se po mbron qeverinë “Rama”. Në krye të kësaj kryqëzate u vu ish kryeministri Berisha, si dhe një sërë zyrtarësh të lartë të PD-së. Akuzat ndaj palës italiane, e sidomos në adresë të ish kryeministrit Renzi ishin deri në nivel banal nga ana e PD-së. Tashmë PD kërkon mbështetjen e Italisë. Duket paradoksale, por kështu funksionon PD.
ma.me