Sot në Bruksel, Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë zhvillojnë bisedime për normalizimin e marrëdhënieve pas disa muajsh ndërprerjeje.
Në takimin, që zhvillohet në zyrën e shefes së diplomacisë evropiane, Federika Mogherini, marrin pjesë presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa nga Kosova, ndërsa nga pala serbe, Presidenti Tomisllav Nikoliç dhe kryeministri Aleksander Vuçiç.
Takimi në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogadit në nivelin më të lartë politik nga të dyja vendet zhvillohet në një periudhë marrëdhëniesh jo të mira ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sidomos pas arrestimit nga policia franceze të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj bazuar në një flet-arresti të Serbisë dhe tentimit të kësaj të fundit që ta fusë në Kosovë një tren me mbishkrime “nacionaliste”.
Pikërisht këto tensione ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thuhet ta kenë nxitur shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, të ftojë për të sot një takim të përfaqësuesve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë, përgatiti Express.
Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, ka thënë në një konferencë për medie në Bruksel, se progresi në normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë ka një rëndësi të madhe.
“Siç kemi thënë javën e kaluar, zhvillimet gjatë disa ditëve të kaluara e theksojnë nevojën e përkushtimit dhe angazhimit të shtuar nga të dy palët nëpërmjet dialogut”, tha Maja Kocijançiç, duke shtuar se edhe Kosova edhe Serbia kanë shprehur përkushtim për dialog.
Kosova dhe Serbia prej gati pesë vjetësh zhvillojnë dialog. Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u nënshkrua më 19 prill të vitit 2013. (b.an)