Dje pasdite, Tripodi shtiu disa herë me pistoletë kundër dy vëllezërve shqiptarë, qiraxhinj të tij, duke plagosur në krah njërin, 35vjeçarin Mario Boçi, i cili më pas ia mbathi me makinën e tij, një Renault Twingo. Do t’i duhen njëzet ditë për t’u shëruar. Vëllai tjetër është Altin Boçi, ndërkohë që ngjarja ka ndodhur në lagjen San Lorenzo, raporton Shqiptarja.com.
Tripodi, i arrestuar tashmë, nuk kishte leje për mbajtjen e armës dhe mbi të rëndon akuza e vrasjes së mbetur në tentativë. Nga të dhënat e para, del se dy vëllezërit shqiptarë kishin marrë me qira, në të zezë, apartamentin dhe prej muajsh nuk e kishin paguar të zotin. Grindja për qiranë e papaguar degjeneroi në të shtëna me armë dhe plagosjen e njërit prej vëllezërve.