Kreshnik Husaj, i njohur nga të gjithë si Kika i “Big Brother Albania 8”, dyshohet se ka rënë në prangat e policisë, për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. 28-vjeçari nga Peja thuhet se është arrestuar më 13 dhjetor të vitit të shkuar, ndërsa që prej atëherë ndodhet në qeli, në burgun e Pejës.
“Bluetooth” ka kontaktuar Policinë e Kosovës, e cila fillimisht tha se do të bënte konfirmimet përkatëse, por më pas refuzoi të përgjigjej.
Ndërkohë, u kontaktua edhe ish-bashkëshortja e Kikës, Vlora Tahiri, e cila është protagoniste e kësaj historie, por ajo u tregua e gatshme të fliste vetëm nga afër.
Në pamundësi të konfirmimit nga palët kryesore të përfshira në këtë histori, arrestimin dhe akuzat kundër Kikës i rrëfen ekskluzivisht për “Bluetooth” të “GSH” një nga miqtë e ish-banorit të “Big Brother”, i cili ka preferuar të mbetet anonim.
Ai shpjegon se Kika është arrestuar në shtëpinë e tij në Pejë më 13 dhjetorin e shkuar, rreth orës 4 të mëngjesit. “E ka denoncuar ish-gruaja e tij për keqtrajtim dhe përdorjen e saj me qëllime përfitimi”, tregon ai. Miku i Kikës, ka thënë se gjatë martesës me Vlora Tahirin, ai e dërgonte në Prishtinë, ku e detyronte të kryente marrëdhënie me meshkuj të tjerë.
“E detyronte të shkonte me meshkuj të tjerë për 30 euro”, rrëfen ai. Por jo vetëm kaq, ish-banori i edicionit të tetë të “Big Brother” i ka shkaktuar probleme ish-partneres së tij me familjen e saj. “Në familje ajo nuk mund të shkojë më, i ka marrë edhe vajzën dhe nuk e lejon ta takojë. Vlora nuk mund t’i durojë më këto gjëra dhe ndaj vendosi që ta denoncojë, që të tregojë të vërtetën e saj”, shpjegon ai më tej.
I pyetur nëse kishte informacion gjatë kohës që Kika dhe Vlora ishin të martuar, për mënyrën se si ai e trajtonte dhe për shfrytëzimin e saj, shoku i Kikës shprehet, “Nuk e ka bërë kurrë në praninë time. Megjithatë, një person nga Prishtina më kishte thënë që Kika ia kishte çuar bashkëshorten dhe i ka marrë 30 euro për një marrëdhënie. Nuk e besova”.
Ai shpjegon se gjërat janë bërë të qarta, pasi ka takuar Vlora Tahirin, pas arrestimit të Kikës. “Jam takuar pas arrestimit të Kikës me ish-gruan e tij për kafe. Kam ruajtur raporte të mira me të dhe ajo më tregoi gjithçka, se si e ka keqtrajtuar Kika”, pohon ai.
I pyetur pse Vlora kishte pranuar që të shfrytëzohej nga ish-bashkëshorti, shoku i tij thotë, “Ajo nuk kishte asgjë, familje jo, shtëpi jo, si të jetonte? Ky e detyronte të shkonte dhe nuk i jepte para. Si mund të jetonte? Ajo është e shkatërruar plotësisht, është për t’u dhimbsur se si e ka shfrytëzuar”.
Sa i takon akuzave kundër Kikës, shoku i tij i afërt rrëfen se, në fakt, kundër Kreshnik Husajt nuk rëndon vetëm kjo akuzë, por edhe ajo e mashtrimit. “Ka mashtruar shumë këngëtarë. U ka marrë para për xhirime televizive dhe nuk i ka nxjerrë askund”, tregon shoku i Kikës, ndërsa thotë se çdo artist e ka paguar ish-banorin e “Big Brother” minimumi 100 euro, e në raste të tjera edhe më shumë.
“Artistët nuk kanë thënë gjë në polici, gjithsesi për gjykatën shfrytëzimi i ish-gruas është primare si çështje”.
“Aktualisht Kika është në burgun e Pejës dhe pritet që gjatë ditëve që vijnë të dalë përpara gjykatës. Normalisht më pas do të vendoset dënimi kundër tij”, shpjegon më tej miku i Kikës.
Kreshnik Husaj dhe Vlora Tahiri janë prindër të një vajze 2-vjeçare, e cila quhet Vesa. Ish-banori i “Big Brother 8” ka kujdestarinë e vogëlushes, pas ndarjes nga ish-bashkëshortja.
Por duket se Kika i shmang sa më shumë kontaktet e Vesës me mamanë e saj. “Kika nuk e lejon që Vlora të takojë Vesën. Mama e bijë shihen shumë rrallë dhe atëherë nga 5 minuta”, rrëfen ai, ndërsa shpjegon se tashmë që ish-banori i “BB8” është në burg, për vogëlushen kujdeset familja e Kikës.
Gjithsesi, për këtë histori, deri tani nuk ka konfirmime nga protagonistët e saj, apo autoritetet policore, të cilat, përsërisim, pas premtimit se do të konfirmonin ngjarjen, refuzuan të përgjigjen.