Gratë nga e gjithë bota protestojnë në ditën e parë në detyrë të presidentit të ri amerikan, Donald Trump. Gjatë fushatës zgjedhore, Trump është kritikuar disa herë për sjelljet dhe deklaratat publike në lidhje me gratë. Tani, shumë gra dhe burra planifikojnë që nëpër rrugët e kryeqytetit amerikan të shprehin atë që e ndjejnë rreth Trumpit, duke iu bashkuar një demonstrate që quhet “Marshi i Grave”.
Organizatorët thonë se ata duan që zërat e tyre të dëgjohen nga administrata e Trumpit, ditën e parë të punës.
“Marshi i Grave në Uashington do të dërgojë një mesazh të fuqishëm për qeverinë tonë të re në ditën e parë të punës, por edhe drejt botës se të drejtat e grave janë të drejta të njeriut”, kanë thënë organizatorët përmes faqes së internetit womensmarch.com.
Organizatorët e marshit kanë shtuar se me gjithë emrin, të gjithë janë të mirëpritur t’i bashkohen marshit, jo vetëm gratë.
Bruksel
Rreth 1000 njerëz janë mbledhur në Bruksel në protestën “Drita për të Drejta” më 20 janar. Turma, kryesisht e përbërë nga gratë, e ka kundërshtuar seksizmin dhe ka protestuar kundër presidentit amerikan, Donald Trump.
Australi, Zelanda e Re
Mijëra njerëz nga Australia dhe Zelanda e Re kanë dalë në rrugë më 21 janar, duke e nisur Marshin global të Grave, një lëvizje e themeluar në Uashington si protestë ndaj presidentit të sapo inauguruar amerikan, Donald Trump.
Disa mijëra gra dhe burra i janë bashkuar marshit në Sidnej dhe një turmë e ngjashme ka marrë pjesë edhe në protestën e Melburnit.
“Urrejtja, fjalimi që nxit urrejtje, fanatizëm, diskriminimi, politikat paragjykuese, këto nuk janë probleme amerikane, janë probleme globale”, i ka thënë turmës bashkëthemeluesja e marshit në Sidnej, Mindy Freiband.
Qindra njerëz gjithashtu kanë demonstruar në qytetet më të mëdha të Zelandës së Re, Uellington dhe Auckland.
Marshet në Australi dhe Zelandën e Re janë të parat nga mbi 600 protesta që janë planifikuar në shumë qytete të botës.
Sidnej
Disa mijëra gra dhe burra i janë bashkuar marshit në Sidnej . “Urrejtja, fjalimi që nxit urrejtje, fanatizëm, diskriminimi, politikat paragjykuese, këto nuk janë probleme amerikane, janë probleme globale”, i ka thënë turmës bashkëthemeluesja e marshit në Sidnej, Mindy Freiband.