Ndryshojnë rregullat për taksat dhe tarifat vendore, që vendosin 61 bashkitë e vendit. Deri tani, politika fiskale e pushtetit vendor rregullohej me një ligj të 1993-it, të amenduar më 1998. Qeveria aktuale duket se ka vendosur të ndryshojë rregullat e lojës edhe në këtë fushë, kryesisht duke u dhënë më shumë autonomi në caktimin dhe përdorimin e fondeve Këshillave bashkiakë. Por, nga ana tjetër, duke vendosur një kusht të ri: në rast se këshilltarët nuk bien dakord deri më 31 dhjetor për buxhetin e vitit të ardhshëm, qeveria ka të drejtë të shpërndajë Këshillin!
Projektligji
Sipas hartuesve të këtij akti, që ende nuk ka shkuar në mbledhje qeverie, qëllimi i tij është të sigurojë financimin e njësive të vetëqeverisjes vendore në përputhje me parimet e autonomisë vendore të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë, por edhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore dhe ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”.
Taksat
Llojet e taksave që mund të vendosin bashkitë janë si më poshtë: Taksa mbi pasurinë e paluajtshme në të cilën përfshihen taksa mbi ndërtesat, taksa mbi tokën bujqësore dhe taksa mbi truallin si dhe mbi transaksionet e kryera me to; taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja; taksa vendore mbi veprimtarinë e shërbimit hotelier; taksa e tabelës; taksa vendore të përkohshme, të cilat vendosen sipas mënyrës së parashikuar në ligj; taksa vendore mbi veprimtarinë ekonomike të biznesit të vogel; taksa vendore mbi të ardhurat vetjake, taksa mbi të ardhurat e krijuara nga dhuratat, trashëgimitë, testamentet ose lotaritë vendore dhe taksa të tjera të përcaktuara me ligj.
Baza e taksave dhe tarifave si dhe niveli i tyre, çdo përjashtim apo ulje, afati i pagesave, si dhe gjobat dhe kamatëvonesat e aplikueshme në përputhje me legjislacionin në fuqi botohen dhe bëhen të njohura publikisht.
Këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore ka të drejtë të vendosë taksë të përkohshme për ofrimin e shërbimeve dhe investimeve publike specifike, për një periudhë të caktuar kohore, por jo më shumë se tre vjet.
Tarifat
Njësitë e vetëqeverisjes vendore do të kenë të drejtë të krijojnë të ardhura nga tarifat vendore si më poshtë:
Tarifa për zënien dhe përdorimin e hapësirës publike dhe fasadave; tarifa për mbledhjen dhe heqjen e mbetjeve; tarifa për furnizimin me ujë dhe kanalizimet; tarifa për shërbimet administrative dhe dhënien e licencave, lejeve dhe autorizimeve; tarifa të përkohshme në përputhje me rrethana të përcaktuara në ligj; tarifa të tjera për shërbimet vendore, të përcaktuara nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Fondet nga qeveria qendrore
Sipas projektligjit, një burim tjetër të ardhurash do të jetë transferta e pakushtëzuar nga buxheti i shtetit, që u jepet njësive të vetëqeverisjes vendore për financimin e ushtrimit të funksioneve dhe kompetencave të tyre të përcaktuara me ligj.
Ndërkohë, transferta e kushtëzuar jepet për funksione të deleguara njësive të qeverisjes vendore dhe projekte të veçanta të konsideruara me interes vendor, rajonal apo kombëtar ku kërkohet bashkëpunimi me vetëqeverisjen vendore.
Kompetenca
Projektligji i ri parashikon që njësitë e vetëqeverisjes vendore do të kenë autonomi të plotë në përdorimin e të ardhurave të veta, transfertës së pakushtëzuar dhe të ardhurave nga taksat e ndara.
Ndërkohë, në rastet kur ulen apo hiqen taksa ose tarifa vendore nga qeverisja qendrore, njësitë e vetëqeverisjes vendore kompensohen plotësisht nëpërmjet rritjes së transfertës së pakushtëzuar, taksave të ndara, transferimit në nivel vendor të një takse tjetër kombëtare, ose kombinim i tyre.
Një kufizim ka të bëjë me atë, që njësitë e vetëqeverisjes vendore nuk mund të ulin nivelin e taksave apo tarifave vendore në buxhetin e vitit të fundit të mandatit të tyre (për të parandaluar përdorimin e politikave fiskale për efekte elektorale).
Llojet e taksave vendore
Taksa mbi pasurinë e paluajtshme në të cilën përfshihen taksa mbi ndërtesat, taksa mbi tokën bujqësore dhe taksa mbi truallin si dhe mbi transaksionet e kryera me to
Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja
Taksa vendore mbi veprimtarinë e shërbimit hotelier
Taksa e tabelës
Taksa vendore të përkohshme, të cilat vendosen sipas mënyrës së parashikuar në ligj
Taksa vendore mbi veprimtarinë ekonomike të biznesit të vogël
Taksa vendore mbi të ardhurat vetjake, taksa mbi të ardhurat e krijuara nga dhuratat, trashëgimitë, testamentet ose lotarite vendore
Taksa të tjera të përcaktuara me ligj
Llojet e tarifave vendore
Tarifa për zënien dhe perdorimin e hapësirës publike dhe fasadave
Tarifa për mbledhjen dhe heqjen e mbetjeve
Tarifa për furnizimin me ujë dhe kanalizimet
Tarifa për shërbimet administrative dhe dhënien e licencave, lejeve dhe autorizimeve
Tarifa të përkohshme në përputhje me rrethana të përcaktuara në ligj
Tarifa të tjera për shërbimet vendore, të përcaktuara nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore