Njësia speciale Renea ka arrestuar njërin prej autorëve të vrasjes së trefishtë ndodhur në vitin 2013 në plazhin e Vlorës ku humbën jetën 3 pushues.
Personi i dënuar me burgim të përjetshëm u prangos pas një super-aksioni të zhvilluar në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.
“Arrestohet shtetasi:
– Delin Hajdaraj, 26 vjeç, banues në Vlorë.
Operacioni për kapjen e tij u bë gjithashtu në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ku në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për lokalizimin e vendodhjes së këtij shtetasi, rreth orës 20:30 të mbrëmjes, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij në katin e katërt (me qira) të një pallati në lagjen “Ujë i Ftohtë” Vlorë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Shtetasi Delin Hajdaraj, ka qenë shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur në 28 Korrik të vitit 2013, ku në bashkëpunim me shtetasin Leo Osmeni, 23 vjeç (i arrestuar në flagrancë dhe i dënuar me 35 vite burg), në lagjen “Ujë i Ftohtë” në Plazhin e Kalasë, kanë qëlluar me armë zjarri automatike model 56, në prezencë të pushuesve të tjerë, ku mbetën të vrarë 3 shtetas, me gjeneralitetet përkatëse:
1- D.A., 53 vjeçe,
2- S.B.,18 vjeç,
3- S.I., 35 vjeç.
Policia e Vlorës, duke patur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të tij, ka kërkuar ndihmë nga Forcat Speciale Renea Tiranë, të cilët në bashkëpunim kanë realizuar kapjen e këtij shtetasi të dënuar me burgim të përjetshëm, i cili kishte rreth 4 vite në arrati.
Policia dispononte informacion se ky shtetas strehohej edhe në 2 banesa të tjera me qira brenda në qytet.
Të tre banesat, i mbante me qira që prej muajit Gusht të vitit 2016 dhe i përdorte për ti shpëtuar ndjekjes së Policisë së Vlorës.
Pas ndërhyrjes dhe neutralizimit të personit nga Forcat Speciale Renea, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në zonën e “Plazhit të Vjetër” Vlorë, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– një armë zjarri të llojit Pistoletë TT,
– një silenciator,
– një krëhër të mbushur me fishekë,
– 37 copë fishekë në total, të kalibrit 7.62 mm,
– 2 aparatë celularë.
U bë ekzekutimi i Vendimit Nr.376, datë 02.07.2015, për dënimin e tij me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim” (Neni 79/dh, 25, i K.Penal).
Materialet u referuan në Prokurori për veprën penale “Armëmbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” (Neni 278/4, i K.Penal)./a.m.