Intervista e Ardit Gjebresë me të dënuarin për vrasjen e një vajze të re dhe nënës së saj bëri shumë bujë vitin që shkoi. Arditi u akuzua se u bë “avokat” i një vrasësi gjatë qëndrimit në burg 24 orë me Marjan Rrokun, i dënuar për vrasje të dyfishtë. Por Gjebrea tha dje në UET ku ishte i ftuar në një bisedë me studentët se emisioni nuk ndikoi tek vendimi i gjykatës.
Pasi rrëfeu për jetën e tij, tri albumet, rrugën e tij si producent e prezantues, moderatorja Belina Budini u ndal në momentin që ka ngjallur shumë polemika.
Përpara studentëve Gjebrea rrëfeu të vërtetën e kësaj interviste, duke u përgjigjur të gjithë atyre që e akuzuan se nuk bëri asnjë “investigim”, si edhe analistit Preç Zogaj, që në një shkrim në gazetën “Panorama” e akuzonte se të gjithë e bëri për të fituar audiencë…
Të qëndrojmë pak te mënyra e thithjes së audiencave. Preç Zogaj ju ka “kryqëzuar” për këtë fakt në një shkrim të tij në gazetën “Panorama”. Ai është nisur nga një intervistë e juaja me një të dënuar, Marian Rrokun, për të cilën pati shumë polemika. Sipas tij, ju e intervistuat atë për të thithur audiencë, po pa u thelluar, pa investiguar, pa bërë rolin e gazetarit të mirëfilltë, duke i dhënë hapë- sirë mediatike një njeriu që kishte vrarë dy veta…
U fol për investigim, ndërkohë që të gjithë ata gazetarë që folën për këtë gjë nuk investiguan se cili ishte programi im. Unë kisha bërë edhe dy puntata të kaluara me konsullin e nderit dhe me një edukatore. Po bëja thjesht në kuadrin e programit “24 orë me, një të burgosur”. Te Marjan Rroku, unë nuk shkova për të sjellë historinë e tij se përse është burgosur. Unë shkova aty për të parë si i kalon 24 orë një i burgosur. Policët, të burgosurit kanë familje pas. Dhe nuk janë pak. Unë jam ai, i cili kam bërtitur dhe bërtas akoma që të rikthehet dënimi me vdekje në këtë vend. Kush vret, duhet të vritet. Askush nuk më ka pyetur për këtë gjë. Askush nuk më pyeti, përse ti që je pro dënimit me vdekje, si nuk the asnjë fjalë për këtë gjë? Thjesht sepse nuk shkova për këtë gjë. Askush nuk kërkoi, askush nuk investigoi, por të zellshmit donin të kryqëzonin.
Ata që e kuptuan, e kuptuan. U përfitua shumë audiencë nga kjo gjë, për të gjithë ata që shkruan dhe u morën për këtë gjë. Më pas Marjan Rrokun e morën të tjerë në intervistë, por më pas asnjë nuk foli.
A ndikoi kjo intervistë e juaja në vendimin e gjykatës, pasi ai kishte kërkuar ulje të dënimit në atë kohë?…
Fare. Unë e regjistrova emisionin në maj, vendimi i gjykatës ndaj tij është dhënë në dhjetor dhe unë e kam transmetuar emisionin në shkurt. Pra, emisioni im nuk pati asnjë ndikim te verdikti i drejtësisë. Më kryqëzuan sepse thashë pikërisht këtë frazë: “Tani që jam këtu mendoj se ti duhet të dalësh”. Një gazetar i kujdesshëm shikon se çfarë thua. I thashë: Marjan, kur unë jam jashtë këtij burgu them mirë t’u bëhet, dhe aty të kalben. Kur jam këtu brenda them se Marjani është penduar dhe duhet të dalë. Por kur të dal prapë prej këtej, nuk e di se çfarë do të mendoj”.
Askush nuk më pyeti se çfarë mendove. Nuk kam bërë asgjë për audiencë, unë e kam audiencën time, nuk më duhej Marjan Rroku. Për sa kohë që ata ekzistojnë dhe janë atje, unë doja që të sillja një realitet që nuk e ka parë askush. Asnjë nga këta gazetarët që folën për këtë gjë, nuk kanë shkuar dhe të kalojë 24 orë me një të burgosur dhe ta sjellin për publikun. Më thonë që nuk je gazetar! Çfarë do të thotë të jesh gazetar?! Jam çdo ditë me gazetarësh dhe mendoni se jam aq idiot sa në 22 vjet të mos kem mësuar asgjë nga gazetaria?
Nuk mund të kishit bërë një zgjedhje më pak “spektakolare”?
Nëse do të zgjedhësh një të burgosur, do të zgjedhësh atë tipikun, një me dënim të përjetshëm, ata që dalin shpejt janë tjetër kategori. Dhe unë zgjodha Marjanin. Le të thonë ç’të duan! Unë nuk kam asnjë motiv të gënjej dhe kam punuar mjaftueshëm që të mos gënjej. Edhe në qoftë se nuk më pranojnë, unë jam ky që jam, por përderisa kam audiencë, njerëzit më kanë pranuar. Por më beso, njerëzit e kuptojnë kur gënjen. Nëse Preçi mendon se unë e bëra për audiencë, më besoni unë e kam audiencën…
Debati i Preçit ka zënë fill nga një kërkesë e tij pas kuintave, që tek “E diela shqiptare” të kishte edhe një hapësirë për poezinë dhe ju i keni thënë që ne merremi me probleme të tjera dhe nuk ka vend për poezinë…
Nuk më rezulton kështu. Nëse ju kujtohet kënga “Sytë e tu”, teksti është i Preçit dhe muzika është e imja. Nëse Preçi bën një poezi po aq të bukur, do t’ia bëj unë muzikën. Pyetja ime është përse Preçi e ka lënë poezinë?… Preçi po bën opinionistin lart e poshtë dhe më kërkon mua tani për poezinë… Ai po flet edhe për operacionet plastike… Nejse, nuk dua të paragjykoj askënd…
Zogaj: Gjebrea, shikueshmëri me çdo çmim
Në një analizë të botuar në gazetën “Panorama”, Preç Zogaj do të sulmonte ashpër Ardit Gjebrenë në lidhje me intervistën e realizuar me të burgosurin Marjan Rroku. Sipas tij gjithçka është shtyrë nga etja për sa më shumë shikueshmëri.
“Sindroma e audiencës me çdo çmim dha një shfaqje tronditëse këto ditë. Etja për shikueshmëri tregoi edhe një herë se nuk sheh kallot ku shkel dhe plagët që hap.
Lakmia ka sy flakërues, por nuk ka fe, nuk ka mëshirë. Si mund të ndalet, si mund të korrigjohet kjo mynxyrë? Duhet të besojmë kurdoherë në zgjimin dhe rizgjimin e ndërgjegjes profesionale të gazetarëve”, do të shprehej Zogaj.
Publicisti thekson se jemi në shpërfytyrimin e gazetarisë profesionale dhe ky është problemi i madh për t’u debatuar e për t’u zgjidhur.
“Parimi i ri është njëra palë të nxjerrë në skenë tjetrën, siç ndodhi me intervistën e Rrokut, s’ka rëndësi me çfarë çmimi, s’ka rëndësi se të afërmit e viktimave që detyrohen të reagojnë do të ndiejnë sërish shqyerjen e plagës që ka vënë kore, por nuk shërohet kurrë”, shkruan ai.
ma.me