Viti i ri nis me një lajm të mirë për ish-të dënuarit politikë. Qeveria do të nisë shpërndarjen e këstit të shtatë të dëmshpërblimit. Konfirmohet se lista e personave që do të përfitojnë nga ky fond është miratuar në fund të 2016-s.
“Numri i tyre deri tani është 245, me një fond prej 140 milionë lekë. Në ditët në vijim do bëhet disbursimi i parave në llogaritë e tyre bankare”, deklaron Ermira Shtino, drejtore e politikave për ish-të përndjekurit në MMSR.
Por cilat janë kategoritë që do të marrin dëmshpërblimin e radhës për vitet e kaluara në burg në periudhën e regjimit komunist?
“Kategoria parësore përfshin ata ish të dënuar që janë gjallë, të parashikuar nga ndryshimet ligjore që u bënë në fund të vitit 2014. Përmendim këtu gratë e dënuara, ish-të dënuar që nuk jetojnë më por kanë fëmijë të mitur, ish-të dënuarit me sëmundje, ata mbi 75 vjeç dhe më pas të tjerët nën 75 vjeç”, saktëson Shtino, raporton tch.
Për të marrë dëmshpërblimin, përfituesit duhet të dorëzojnë disa dokumente, mes të cilave çertifikatën personale dhe numrin e llogarisë të rinovuar.
Por, paralelisht me shpërndarjen e këstit të shtatë, Ministria e Mirëqënies Sociale bën një tjetër premtim. “Jemi në rrugën e drejtë për të bërë të mundur lëvrimin brenda këtij viti edhe të këstit të tetë”, shton Shtino./a.k