Në vijim të shpërndarjes së ndihmave nga Forcat e Armatosura për banorët e zonave të izoluara nga bora, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli vizitoi disa familje në nevojë në Bashkinë e Klosit ku shpërndau pako me ndihma ushqimore. Ajo gjithashtu premtoi ndihmë shëndetësore për pjesëtarët e këtyre familjeve, të cilat vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe kanë nevojë për trajtim e kujdes të veçantë.
Pas vizitave në këto familje, ministrja Kodheli falënderoi Forcat e Armatosura për angazhimin e tyre në hapjen e rrugëve të bllokuara nga bora dhe transportimin e ndihmave me helikopter në zonat më të thella të vendit, duke u ndalur veçanërisht në qarkun e Dibrës. “Forcat e Armatosura kanë qenë që nga Xibra, fshati Ketë, me ndihma të cilat i kanë transportuar qoftë nga ajri qoftë në rrugë tokësore. Kanë qenë prezentë në fshatin Lis pranë Bashkisë Klos për sa i përket disa orendive shtëpiake. Jemi bashkërisht me to duke shpërndarë ndihma ushqimore në familjet në nevojë. E bëjmë këtë përtej angazhimit tonë në emergjenca, e bëjmë këtë përtej angazhimeve tona kushtetuese. Ndaj dua t’i falenderoj edhe njëherë për gjithë angazhimin e tyre kushtetues, por edhe njerëzor në ndihmë të familjeve në nevojë.”- u shpreh ministrja Kodheli.
Ashtu siç u shpreh edhe vetë ministrja Kodheli, angazhimi dhe kontributi i Forcave të Armatosura në ndihmë të banorëve të zonave të izoluara dhe atyre në nevojë, do të vijojë në të gjithë vendin./a.m.