Shfytëzimi pa kriter dhe i paligjshëm i baseneve dhe lumenjve në Shqipëri duhet të marrë fund një herë e mirë. Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti e ka përkufizuar këtë fenomen, si një prej shkaqeve kryesorë të shkatërrimit të ekosistemit, të zhvillimit ekonomik të vendit, por edhe të përmbytjeve të përsëritura vit pas viti.
Ai tha se ka ardhur momenti që të vendoset një moratorium për bllokimin e çdo shpërdorimi të këtyre pasurve kombëtare. Deklaratat e ministrit Panariti u bënë gjatë prezantimit të kartave të njehsuara të inspektorateve në varësi të këtij institucioni. Pajisja me kartat moderne i hapi udhë edhe sistemit të raportimit online nga ana e inspektorëve, por dhe të qytetarëve.