Veselin Sljivancanin ka shërbyer si oficer në Armatën Jugosllave. Ai është një serb nga Mali i Zi, që si ushtarak ka marrë pjesë në Betejën e Vukovarit, për çka është gjykuar në Tribunalin e Hagës. Për Masakrën e Vukovarit, Slijvancanin është dënuar me 10 vjet. Por, Tribunali e ka liruar për shkak të sjelljeve të mira në burg.
Koloneli i pensionuar serb ka shpalosur një rrëfim interesant për Ramush Haradinajn në Tribunalin e Hagës dhe të burgosurit e tjerë shqiptarë aty, shkruan Botasot.
“Sljiva” ka thënë se Haradinaj në Hagë ka shkuar me aeroplanin e kancelarit Schroeder, ndërkaq dy bashkëluftëtarët e tij me linjë të rregullt. Këtë ai e ka interpretuar si një pozicion të privilegjuar për Haradinajn që është ndier edhe në hapësirat brenda burgut.
Më poshtë po e sjellim të plotë intervistën e kolonelit serb të botuar në mediat serbe.
Haradinaj: Sljivo, posa të vij në Beograd ty do të thërras të parin
Ish-udhëheqësi i UÇK-së, Ramush Haradinaj, ka pasur trajtim të veçantë gjatë paraburgimit në gjykatën e Hagës, ka thënë ish-oficeri i Armatës jugosllave, Veselin Sljivancanin.
Siç tha, ndërsa Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj në vitin 2005 në Hagë kanë arritur “me linjë të rregullt”, Haradinajn nga Prishtina e barti aeroplani i kancelarit të atëhershëm gjerman, Gerhard Schröder.
Përveç kësaj, para se të fillonte gjyqi, të gjithë të paraburgosurit në Scheveningen ishin të bindur se ai do të lirohej, tha Sljivancanin, njeriu i cili ishte në të njëjtin pavijon të paraburgimit në Hagë me të pandehurit shqiptarë në vitin 2005.
Koloneli në pension, në një intervistë për mediat serbe nuk dëshiron të paragjykojë se çfarë do të ndodhë në lidhje me ekstradimin e mundshëm të ish-kryeministrit dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Gjithashtu, thotë ai, nuk mund ta “fyejë” Haradinajn për ditët e kaluara në Hagë, por thekson se ky shqiptar në Hagë i kishte të lejuara gjërat që të tjerët nuk i kishin, dhe se kjo nuk fshihej.
“Kur ai erdhi në paraburgim, sillej si i civilizuar. Shqiptarëve të tjerë që i kishte hasur në paraburgim (Idriz Balaj, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Isak Musliu), menjëherë ua bëri të qartë se kush është i zoti i shtëpisë aty dhe i urdhëroi që në hapësirat e përbashkëta duhet të flasin serbisht. Deri atëherë, ata silleshin si një sekt që dëmtonte atmosferën tashmë të rëndë pas hekurave”, tha Sljivancanin.
Sljivancanin shtoi se Haradinaj nuk ishte shumë i shqetësuar për fatin e tij në gjykim. Ai e dinte se kishte mbështetjen e Perëndimit, dhe kjo u pa shumë shpejt.
“Gjatë ditës, në kohën e vizitës, secili i burgosur kishte të drejtë që të presë deri në katër persona, duke përfshirë edhe fëmijët. Shumë shpejt pas mbërritjes së tij në Hagë, Ramushin e lajmëruan nga porta për vizitën e 12 personave. Rastësisht, ne kemi qenë në hapësirë të përbashkët, dhe më kujtohet që e pyeta ‘Ramush, çfarë do bësh tash’. Ai e piu një gllënjkë birrë dhe më tha të mos shqetësohem”, tha Sljivancanin.
Ai vazhdoi më tutje duke thënë se shumë shpejt në njësinë e paraburgimit u shfaq drejtori, McFadden, i ndjekur nga të gjithë 12 mysafirët.
“Ramushi, pas një kohe, më thirri që të pimë nga një kafe. Kur unë u ula, njerëzit që ishin aty u prezantuan, duke thënë se ata janë nga Amerika, dhe se liderit të tyre i kishin sjellë tetë milionë dollarë për mbrojtje”, ka thënë Sljivancanin.
Ky shqiptar në Sheveningen nuk u shmangej serbëve. Ai fliste me gjeneralin Pavkovic pa hezitim. Emocionet i tregoi, siç tha bashkëbiseduesi i “Novosti”, vetëm kur të burgosurve të tjerë u tregonte fotot se si po shkonte ndërtimi i shtëpisë së tij të mrekullueshme në mes të Deçanit dhe Gjakovës.
“Mbaj mend që ndërsa ishte në paraburgim i ndodhën dy tragjedi familjare. Në Kosovë ia vranë vëllanë e tij, dhe më vonë nipin. Që të dy herat që iu afrova për ngushëllimet e mia, ai tha: Unë e dija se kjo do të ndodhte”, thotë Sljivancanin.
Siç thonë, Haradinaj, gjatë ditëve në paraburgim nuk e ka fshehur se është në konflikt me Hashim Thaçin – që të dy kanë “mbaruar shkollën jashtë shtetit”, dhe kanë dalë nga e njëjta “pallto ushtarake” e Perëndimit, por siç duket, “mentorët” luajtën lojërat e tyre me të dy. Haradinaj, tha Sljivancanin, ishte i bindur se Thaçi është përgjegjës për qëndrimin e tij në Hagë.
Sipas Sljivançanin, pas lirimit të Haradinajt në vitin 2008 ishte i bindur se ai do të kthehet në një pozitë të lartë politike në Kosovë. Besonte se së shpejti do të vijë në kryeqytetin e Serbisë si një udhëheqës politik.
“Kur ai u largua, gjysmë me shaka e gjysmë përnjëmend e pyeta se kur do të takohemi përsëri. Ai u përgjigj: “Sljivo, posa të vij në Beograd, unë do të thërras ty të parin”. Ai ishte i bindur se po kthehej si një udhëheqës politik”, tha Sljivancanin.