EKSKLUZIVE JAVANEWS/ Shumë pak njerëz në botën e qytetëruar besojnë se politika është fantashkencë. Më shumë besojnë se është frut kulisash dhe grackash. Por në realitetin shqiptar duket se politika konceptohet edhe si fantashkencë, duke kopjuar një skenar këtu apo një skenar atje. Burime të besueshme pranë opozitës bëjnë të ditur për Javanews se krerët e partive politike të opozitës shumë shpejt do të publikojnë edhe qëndrimin e tyre për zgjedhjet e 2017, i cili, sipas tyre, në vija të përgjithshme është e njëjta skemë që u ndoq për zgjedhjet në Maqedoni.
Në thelb të kësaj skeme është fakti që kryeministri Edi Rama, të konsumojë mandatin e tij 4 vjeçar si kryeministër, kohë në të cilën edhe mazhoranca do të konsumojë mandatin që mori në zgjedhjet e 2013. Ndërsa më pas zgjedhjet të mos organizohen nga qeveria, por nga një qeveri kalimtare me një mandat vetëm për të organizuar zgjedhjet me një afat 2 mujor. Vlen të thuhet megjithatë se mbetet e paqarte se sipas Kushtetutës, qeveria e mbyll formalisht mandatin, në momentin që parlamenti i ri voton qeverinë pasardhëse.
Në PD mendojnë se kjo skemë vihet si kusht nëse mazhoranca aktuale nuk pranon votimin dhe numërimin elektronik. Në rastin e skemës së opozitës, thonë burimet për Javanews, zgjedhjet do të shtyhen duke i dhënë mundësi qeverisë teknike që të organzojë ajo zgjedhjet, ku në themel të jetë organizimi i procesit elektoral mbi bazën e votimit dhe numërimit elektronik. Ajo çka bie në sy në këtë skemë është fakti se opozita i rikthehet idesë së saj për qeveri teknike.
Por për të jetësuar këtë skemë të opozitës duket se çelësat “kullës së barit” i ka në dorë LSI-ja. Ndryshe gjithçka mbetet në kufinjtë e dëshirave dhe fantazisë. Kjo e fundit ka lënë si afat muajin Prill për të dhënë një përgjigje përfundimtare nëse do të dalë në koalicion me PS në zgjedhje, apo do të ketë aleanca fluide me PD, ose në rastin tjetër të dalë si subjekt më vete.
Për Bashën ky është një ekuacion shumë i vështirë për t’u zgjidhur, ku nga njëra anë i duhen votat e LSI-së për të rrëzuar qeverinë “Rama” dhe nga ana tjetër i duhen votat e Ramës për të bërë votimin dhe numërimin elektronik. Ja pse skema e opozitës, për të cilën këto orë ka një debat të ndezur brenda PD, tingëllon më shumë si fantashkencë. Kundërshtarët politikë nuk mund t’i zgjedhësh. Thjesht duhet të përballesh me atë që ke përballë.
Armando Meta