Sikur mos ta kishim tërhequr trenin dhe sikur të mos i lusnim serbët e veriut që të tërhiqeshim, do të kishim pasur konflikte dhe luftë, ka thënë kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç, transmeton Koha.net.
Duke treguar pse treni nga Beogradi nuk ka arritur në Mitrovicë, ai veprimin e Prishtinës e ka vlerësuar në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit dhe me NATO-n.
”Për ardhjen e njësive të armatosura në veri ka qenë i domosdoshëm pajtimi me bashkësinë vendore dhe leja nga NATO. A e kanë pasur lejen nga NATO, nuk e di, por pajtimin e serbëve të veriut të Kosovës me siguri nuk e kanë pasur”, ka thënë Vuçiç.
Ai ka shtuar se “ne kemi mundur ta lëmë trenin të futet brenda, por do të kishte pasur të vdekur në të dy anët” dhe duke thënë se “mençuria jonë e evitoi konfliktin”.
Kryeministri serb i cili në dukjen e trenit nuk ka parë ndonjë mëkat, ka thënë se për pamjen e tij kishte marrë vesh duke e dëgjuar deklaratën e Marko Gjuriçit.
Vuçiç ka folur kështu në debatin e TV Pink që u karakterizua me polemikën e tij me kryetaren e Qendrës për studime euroatlantike Jelena Miliç e cila e braktisi studion pasi Vuçiç i tha se “po lufton kundër interesave të Serbisë. (b.an)