Për hipotekimin e apartamenteve, qytetarët nuk do të kenë asnjë detyrim financiar. Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, pohon se procesi do të jetë tërësisht falas dhe të gjitha procedurat do të ndiqen nga ALUIZNI. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për investitorët. Detyrimet që këta të fundit kanë nuk fshihen dhe fatura do të transferohet në Drejtorinë e Tatimeve. Përmes intervistës dhënë për “Panorama”, ministrja është ndalur edhe te zotimi për përmbylljen e procesit legalizues në zonat informale brenda këtij mandati.
Sipas Gjermenit, prej 2014-s dhe deri në fund të dhjetorit janë lëshuar 90 mijë leje, me një mesatare që shkon mbi 4 mijë leje në muaj. Ndërkohë që synohet të punohet me të njëjtat ritme edhe në vijim.
Në mbledhjen e parë të Qeverisë për këtë vit, u miratua vendimi që i hap rrugë hipotekimit të 1320 pallateve, të bllokuara për shkak të detyrimeve ligjore, të cilave nuk u janë përmbajtur ndërtuesit. Si do të bëhet legalizimi i këtyre apartamenteve nga ana e qytetarëve? Do të kenë këta të fundit detyrime financiare për të paguar?
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, ne miratuam vendimin që i ofron zgjidhje përfundimtare problematikës së mbartur për shumë vite për 30. 000 familje, të cilat e kanë pasur të pamundur hipotekimin e banesave të tyre. Ky vendim u jep të drejtën qytetarëve që kanë blerë banesë, të kryejnë procesin e legalizimeve, pikërisht në ato objekte ku ndërtuesi apo investitori i objektit ka ndërtuar kate shtesë jashtë lejes së miratuar të ndërtimit dhe nuk ka përmbushur detyrimet ligjore për mbylljen e procesit të legalizimit. Pra, për të gjitha këto raste dhe që nuk janë pak, por rreth 1320 pallate, ku është bllokuar procesi i hipotekimit në shumë vite, nëpërmjet këtij vendimi ne u japim përparësi qytetarëve të kryejnë procedurën e legalizimit për banesën që posedojnë. ALUIZNI, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, ka detyrimin e njoftimit të ndërtuesit apo investitorit, të cilëve iu është lënë një afat prej 30 ditësh për kryerjen e procedurave të legalizimit për objektin. Në ato raste kur ndërtuesit apo investitori nuk do t’i përgjigjet njoftimit brenda afatit të përcaktuar, atëherë i lind e drejta qytetarit të paraqesë pranë ALUIZNI-t kërkesën për hipotekimin e objektit që disponojnë. Nga momenti i paraqitjes së kërkesës nga qytetari e deri në përfundim të procesit të hipotekimit, e gjithë praktika do të ndiqet nga vetë ALUIZNI. Më duhet të theksoj se të gjithë këta qytetarë, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, të miratuar më 11 janar 2017, nuk kanë asnjë detyrim financiar apo kosto shtesë për të paguar ndaj shtetit, pra e thënë ndryshe, procedura e legalizimit për qytetarët do të jetë tërësisht falas. Ndërkohë që ndërtuesit apo investitorit i lind detyrimi fiskal për pagesën e taksës së infrastrukturës për objektin e ndërtuar. Është e rëndësishme për t’u nënvizuar se nëpërmjet këtij vendimi ne kemi ofruar një zgjidhje përfundimtare për këto 30.000 familje për përfundimin e procedurave të legalizimit dhe më pas hipotekimit të tyre pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Pra, nga njëra anë, qytetarëve u lind e drejta e përfundimit të procedurave të hipotekimit të banesave të tyre pa u penguar tanimë nga mosshlyerja e detyrimit financiar që kanë ndërtuesit apo investitorët dhe nga ana tjetër, institucioneve shtetërore u lind detyrimi për ndjekjen e shlyerjes së detyrimeve fiskale të taksës së infrastrukturës nga këta ndërtues apo investitorë.
Cilat janë disa nga tipologjitë e problematikave të hasura në këto pallate banimi?
Tipologjitë e problematikave kanë qenë të ndryshme, ndaj dhe ALUIZNI-t i është dashur një kohë relativisht e gjatë dhe shumë punë për verifikimin e tyre dhe ofrimit të zgjidhjeve të përshtatshme e gjithëpërfshirëse për këta qytetarë. Pjesa më e madhe e rasteve lidhet me mosreagimin e ndërtuesit apo investitorit si subjekti tregtar për shkak falimentimi apo arsye të tjera të karakterit ekonomik dhe neglizhencës për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm që kërkon kuadri ligjor për legalizimin e objektit. Vendimi i Këshillit të Ministrave trajton edhe raste, si pamundësia për zbatimin e të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin nga bashkëpronësia dhe ekzekutimin e detyrueshëm mbi pallatet e palegalizuara. Duke qenë se ky vendim ka trajtuar me përparësi një gamë të gjerë problematikash, të cilat, në fakt, janë të trashëguara që prej vitit 2013, me miratimin e tij, ne jo vetëm i konsiderojmë këto çështje të zgjidhura, por dhe u garantojmë të 30.000 familjeve përfituese mbylljen e procedurave të legalizimit dhe hipotekimin e banesave të tyre me një procedurë të përshpejtuar e thjeshtuar në favor të qytetarëve.
A ka kategori të tjera ndërtimesh për të cilat procesi është bllokuar, si do të veprohet me to?
Në përgjithësi, ndërtimet që janë objekt i ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve informale” nuk kanë më pengesa proceduriale për legalizim. Pjesa më e madhe e këtyre problemeve janë zgjidhur përmes VKM të mëparshme. Të vetmet ndërtime “të bllokuara”, nëse mund të quhen të tilla, janë ato ku ka pretendime pronësie nga dy ose më shumë persona dhe ku mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata, si dhe për ato ndërtime që janë apo prekin zona të mbrojtura. Sigurisht që së bashku me ALUIZNI-n, ministritë e linjës dhe bashkitë, ne do të vijojmë të bashkëpunojmë ngushtësisht për të gjetur zgjidhjet më të mira për të gjithë ata qytetarë që, për një arsye apo një tjetër, e kanë të pamundur të legalizojnë banesën e tyre konform rregullave dhe ligjeve në fuqi.
Kjo nismë është parë me rezerva nga ministri Manjani. Në media janë publikuar edhe korrespondencat mes dy institucioneve gjatë fazës konsultative, cili është qëndrimi juaj?
Me Ministrinë e Drejtësisë për këtë vendim kemi pasur takime të stafeve teknike. Kjo është bërë në kuadrin e një procedure normale që ndiqet për hartimin e të gjitha akteve nënligjore. Për sa u përket dy çështjeve të trajtuara nga ministri Manjani, ato janë tashmë pjesë e këtij vendimi. Në fakt, që me ligjin ekzistues të legalizimeve të vitit 2006, përgjegjësia për trajtimin e shtesave pa leje të pallateve, qofshin anësore, qoftë në lartësi, ishte dhe është ligjërisht përgjegjësi e ALUIZNI-t. Ndërkohë që për sa u përket detyrimeve financiare të subjekteve ndërtuese, ashtu siç e shpjegova dhe më lart, në vendimin e miratuar është cituar qartazi se të gjitha detyrimet për procedurat e legalizimit do të paguhen nga ndërtuesi apo investitori. Pra, pavarësisht shkrimit nga media të ndryshme, më lejoni të sqaroj se ky Vendim i Këshillit të Ministrave, ashtu si dhe të gjitha aktet nënligjore të miratuara nga kjo qeveri, janë dakordësuar me të gjitha ministritë e linjës dhe më pas miratuar në konsensus të plotë nga të gjithë anëtarët e kabinetit Rama.
Një ndër zotimet tuaja ishte përfundimi i procesit të legalizimit në zonat informale të vendit, brenda këtij mandati qeverisës. Sa larg këtij qëllimi jemi? Janë 110 mijë leje të lëshuara gjithsej, sa synohen të ndahen deri në qershor?
Legalizimi ishte dhe një ndër angazhimet madhore të kësaj qeverie. Që në vitin tonë të parë, me reformën ligjore që ndërmorëm mbajtëm premtimin tonë për legalizim falas dhe kthimin e këtij procesi nga një model dështimi në një model që u vjen në ndihmë qytetarëve me transparencë dhe efikasitet. Sigurisht që në këto tri vite u fokusuam më së tepërmi në përmbylljen e procesit të legalizimeve në zonat masive informale, duke bërë të mundur që në fund të dhjetorit, numri i legalizimeve të arrijë në 110 mijë objekte. Në 2013-n u angazhuam se do të ndërmerrnim reforma në shërbim të mirëqenies së qytetarëve dhe ashtu vepruam edhe me legalizimet. Më duhet të theksoj se mbi 90% e objekteve të legalizuara në këto dy vite e gjysmë janë shtëpi banimi, ndryshe nga qeveria e mëparshme, që i dha përparësi legalizimit të objekteve me funksion biznesi. Sigurisht që modeli që ne ndërtuam, prej fillimit të mandatit tonë qeverisës, ishte një model i bazuar në punë dhe punë e bërë me përkushtim. Numri i aplikimeve për legalizim në të gjithë vendin nuk janë as 100 mijë dhe as 200 mijë, por plot treqind e katërmbëdhjetë mijë e tetëqind aplikime, për të cilat ne do të duhet të punojmë fort që këtë ritëm pozitiv ta mbajmë edhe gjatë këtij viti. Synimi ynë është që të mbajmë një ritëm të njëjtë me legalizimin e mbi katër mijë objekteve në muaj. Sërish mbetet një angazhim madhor, krahas punës që do të vazhdojë për legalizimin me intensitet, them që hapat e tjerë që kemi ndërmarrë si ministri mund të jenë ndihmëse. Po miratojmë planet e përgjithshme vendore dhe kjo do ta përshpejtojë punën e ALUIZNI-t.
Parashikohen lehtësira të tjera për procesin legalizues?
Janë 4 ligje dhe 24 Vendime të Këshillit të Ministrave me propozim të Ministrisë së Zhvillimit Urban, të cilat parashikojnë lehtësira qoftë administrative, por edhe financiare, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve për përmbylljen e procesit të legalizimit. Në këtë numër nuk kemi përfshirë me dhjetëra Vendime të Këshillit të Ministrave që rregullojnë kalimin e pronësisë dhe shpërblimin e pronarëve, pronat e të cilëve janë zënë nga ndërtime pa leje. Për t’u ardhur në ndihmë familjeve me vështirësi ekonomike, kemi miratuar dhe po zbatojmë një skemë të qartë me lehtësira financiare. Sot, personat me statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik, me statusin e të verbrit, të cilët duan të legalizojnë banesat e tyre, nuk paguajnë më asnjë lek për legalizimin e banesës së tyre. Të gjitha familjet, të cilat kanë në përbërjen e tyre familjare statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik apo me statusin e të verbrit, iu zbritet detyrimi financiar për parcelën ndërtimore, në masën 50% nga vlera e llogaritur. Si edhe të gjithë personat, të cilët marrin ndihmë ekonomike përfitojnë zbritje në masën 30% nga vlera e parcelës e llogaritur. Sot, në vitin e tretë të qeverisjes, falë përkushtimit dhe angazhimit tonë për një proces transparent dhe të shpejtë, procesi i legalizimeve është tashmë në rrugën e duhur dhe u përgjigjet nevojave të qytetarëve në të drejtën e tyre të ligjshme për të regjistruar pronat e tyre. Ajo çfarë unë dua të ritheksoj është se ne do të vijojmë edhe gjatë këtij viti të trajtojmë me përparësi dhe rast pas rasti çdo problematikë e ngërç të pazgjidhur ndër vite, për t’i ardhur në ndihmë dhe ofruar shërbim të përshpejtuar me efiçencë e transparent për të gjithë qytetarët që janë në proces legalizimi.
Çfarë po ndodh me urbanizimin e zonave informale, në çfarë pike jemi aktualisht?
Urbanizimi është hapi i radhës, mbas përmbylljes me sukses të legalizimeve në zonat masive informale. Nëpërmjet programit kombëtar të Rilindjes Urbane, në këto tri vite kemi ndërtuar modelet e para pilot për urbanizimin e këtyre zonave. Zbatuam tri projekte urbanizimi në tri zona informale në tri bashki të vendit: Vlorë, Lushnjë dhe Durrës. Janë rreth 22.000 familje që jetojnë sot në kushte të përmirësuara jetese. Projektet e zbatuara kryen përtej urbanizimit edhe një funksion tjetër shumë të nevojshëm dhe me impakt social në jetën e qytetarëve që banojnë në këto zona informale, atë të integrimit të këtyre zonave si pjesë të pandashme të qytetit.