Armando Meta
SPECIALE JAVANEWS/ A është Gjin Gjoni një “minë me sahat” që PD ka kurdisur për zgjedhjet e 2017? Një pyetje që ka lindur vetëvetiu menjëherë sapo ai u zgjodh me short krahas 7 anëtarëve të tjerë, si pjesë e trupës së Kolegjit Zgjedhor, që do të marrë në dorë frenat e gjykimit të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017. Po përse vështrimi është përqëndruar drejt Gjin Gjonit dhe jo ndaj gjyqtarëve të tjerë të kësaj trupe? Në fakt nuk do ndonjë aritmetik të madhe për të përllogaritur se ish anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për një kohë të gjatë, është kthyer në simbol të një drejtësie të korruptuar, kriminalizuar dhe të varur politikisht. Ndaj Gjonit ka pasur një seri akuzash publike për korrupsion. Ndaj tij ka pasur edhe një proces hetimor, pasi zotëron miliona euro dhe nuk ka arritur të justifikojë burimin e vënies së kësaj pasurie. Gjoni, i cili është artikuluar deri edhe ndërkombëtarisht si simbol I korrupsionit në sistemin e drejtësis, ka pasur vetëm një avokat dhe ai politik, Partinë Demokartike dhe lidershipin e saj. Pra s’do as mend as kalem për të kuptuar se ai përfaqëson një gjyqtyar me një mbështetje publike politike, si asnjë gjyqtarë tjetër në këtë vend. Si rrjedhim “njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën” thotë populli. Nderi me nder!
Shmangia nga vetting-u
Ajo që ra në sy në përzgjedhjen e 8 anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor ishte fakti se ata u zgjodhën pa iu nënshtruar procesit të vettingut. Jo më kot duket se edhe PD e zvarriti sa qe e mundur hyrjen në fuqi të ligjit, duke e ankimuar në Gjykatën Kushtetuese dhe mbajtur peng atë për rrjedhim, deri sa kjo gjykatë bëri një stuhi emërimesh në sistemin e drejtësisë, por nga ana tjetër deri dhe në pritje të hedhjes së shortit për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor. Por cili është “shtegu” i gjetur për të kapur Kolegjin Zgjedhor, dhe duke i “shpëtuar” Vettingu-t? Është pikërisht Kodi Zgjedhor në fuqi.
Kushtetuta dhe Kodi
Në bazë të tij për vetting-un të tetë anëtarët duhet që t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit, por Kodi Zgjedhor ndalon largimin e tyre nga detyra nëse dalin me probleme. “Të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të gjithë prokurorët, duke përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm, Kryeinspektorin dhe inspektorët e tjerë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i nënshtrohen rivlerësimit ex officio. Të gjithë këshilltarët ligjorë pranë Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ndihmësit ligjorë pranë gjykatave administrative, ndihmësit ligjorë pranë Prokurorisë të Përgjithshme do të rivlerësohen ex officio. Procesit të rivlerësimit mund t’i nënshtrohen me kërkesë dhe nëse plotësojnë kriteret sipas ligjit edhe ish-gjyqtarët, ish-prokurorët, ish-këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë punuar në këto pozicione të paktën tre vjet”, thuhet në nenin 179/b të Kushtetutës së re. Në këtë përcaktim bëhet e ditur se asnjë gjyqtar në vend nuk i shpëton dot vetingut. Kjo do të thotë se edhe 8 anëtarët e Kolegjit Zgjedhor do i nënshtrohen rivlerësimit të tyre, ku do kontrollohet pasuria, figura dhe formimi profesional. Por…dhe këtu ka një “por” të madhe teksa Kushtetuta dhe ligjet detyrojnë çdo gjyqtar që t’i nënshtrohen procesit të vetingut, duket se ka një përplasje me Kodin Zgjedhor. Sipas nenit 149 të Kodit Zgjedhor, gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor nuk mund të largohen nga detyra dhe nuk mund të ketë asnjë masë disiplinore ndaj tyre pavarësisht shkeljeve. “Gjyqtari i Kolegjit Zgjedhor nuk mund t’i nënshtrohet procedimit disiplinor gjatë gjithë periudhës për të cilën është krijuar kolegji. Gjatë kësaj kohe, gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë nuk mund të lëvizen nga detyra e gjyqtarit, për shkaqe që lidhen me nenin 32 të ligjit nr. 9877 datë 18.2.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe për pamjaftueshmëri profesionale. Ndaj tyre nuk mund të jepet vlerësimi ‘i paaftë’”, thuhet në këtë ligj.
Ndërsa vihet re kjo përplasje mes Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës, për juristët Kushtetuta ka përparësi. Kushtetuta detyron çdo gjyqtar që t’i nënshtrohet vetingut dhe në rast se ai nuk e kalon atë automatikisht largohet nga detyra dhe u nënshtrohet procedurave të tjera. Por Kodi zgjedhor shkruan ndryshe. Kjo duket se do të jetë një shkak tjetër për konflikt mes mazhorancës dhe opozitës dhe një listim tjetër në listën e sebepetve të opozitës për të bojkotuar zgjedhjet, pas bojkotit të Kuvendit që është paralajmëruar.
Zgjedhjet që kërcënohen nga Kolegji
Për hir të realitetit asnjë prej gjyqtarëve, qoftë edhe të Kolegjit Zgjedhir, nuk do të mund t’i shpëtojnë vetting-ut. Por në këtë rast çështja shtrohet ndryshe. Koha se kur do të bëhet. Duke pasur parasysh kompletimin e ligjit edhe me aktet nënligjore, një gjë e tillë do të kërkojë jo pak pak kohë. Thënë thjeshtë duket se Kolegji i ri Zgjedhor do të kalojë në sitë pas zgjedhjeve të qershorit 2017. Një mundësi e mirë që kjo që Gjoni së bashku me 7 anëtarët e tjerë të Kolegjit Zgjedhor “t’ia hedhin pa lagur”. Por dëmi ndaj zgjedhjeve mund të shkaktohet. Pasi ai është në kolegj si “kamikaz”. Kjo për faktin se PD-ja me gjyqtarët e saj politik në Kolegjin Zgjedhor ka arritur deri dhe në përmbysje publike të rezultatit të zgjedhjeve, duke i dhënë fitoren në tavolinë dhe jo me votë kreut aktual të PD-së, Lulzim Basha, i cili sot thërret për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha është tashmë simbol i mandatit të dhënë në tavolinë dhe jo të fituar në zgjedhje. Kolegji Zgjedhor është një organ shumë i rëndësishëm dhe përcaktues për zgjedhjet, që parashikohet nga Kodi Zgjedhor. Ai zgjidh në rrugë gjyqësore ankimet ndaj vendimeve të KQZ. Ja pse ai është një organ shumë i rëndësishëm dhe pikëpyetjet më të vogla ndaj anëtarëve të këtij Kolegji minojnë besueshmërinë e procesit zgjedhor, pse jo mund të kthehen edhe në stimulues të konflikteve civile. Palët mbeten të shfrytëzojnë nenin 151 të Kodit që flet për përjashtimin e gjyqtarit nga gjykimi i çështjeve. E natyrisht emri i Gjhin Gjonit dfo të jetë në krye të listës nga ana e mazhorancës aktuale. Por gjithësesi dëmi që pritet tu bëhen zgjedhjeve mund të jetë me rrezik të lartë.
Neni 151
Përjashtimi i gjyqtarit nga gjykimi i çështjes
- Palët në gjykimin përpara Kolegjit Zgjedhor kanë të drejtë të kërkojnë përjashtimin nga gjykimi i çështjes të ndonjërit prej gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor. 2. Përjashtimi bëhet nëse rezulton se gjyqtari ka ndonjë interes për çështjen, ka qenë më parë punëdhënës, punëmarrës, këshilltar, 180 181 përfaqësues ose avokat i ndonjërës prej palëve, ka lidhje gjinie ose marrëdhënie krushqie të afërt me ndonjë nga palët, ose rezulton se ai nuk mund ta kryejë detyrën në mënyrë të paanshme, të drejtë dhe pa favorizuar asnjë prej palëve. 3. Përjashtimi i gjyqtarit nga gjykimi i çështjes bëhet nga Kolegji Zgjedhor. Të gjithë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor vendosin së bashku për vlefshmërinë e kundërshtimit ndaj ndonjërit prej gjyqtarëve. 4. Kërkesën për përjashtim paditësi apo pala e interesuar duhet ta depozitojë në sekretarinë e gjykatës pasi është bërë i ditur emri i gjyqtarëve që shqyrtojnë çështjen. 5. Kërkesa për përjashtim përmban arsyen specifike pse nuk është e përshtatshme që një gjyqtar i caktuar i Kolegjit Zgjedhor të gjykojë kërkesëpadinë. 6. Kërkesat për përjashtim të gjyqtarit, të paraqitura jashtë afateve dhe procedurave të këtij neni, nuk merren në shqyrtim.
Neni 158
Llojet e vendimeve të Kolegjit Zgjedhor
- Në varësi nga çështjet në shqyrtim, Kolegji Zgjedhor vendos: a) pushimin e gjykimit; b) gjykimin e çështjes në themel; ose c) detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim. 2. Pushimi i gjykimit vendoset kur Kolegji Zgjedhor konstaton se ankimi është paraqitur jashtë afateve të përcaktuara në këtë Kod ose për mungesë kompetence. Kur Kolegji Zgjedhor vendos mungesën e kompetencës, ia dërgon çështjen organit kompetent. 3. Me gjykimin e çështjes në themel, Kolegji Zgjedhor vendos pranimin e plotë apo të pjesshëm të padisë ose rrëzimin e plotë apo të pjesshëm të saj. 4. Kolegji Zgjedhor vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim, në zbatim të pikës 2 të nenit 145 të këtij Kodi. Në këtë rast Kolegji Zgjedhor cakton afat të prerë për marrjen e vendimit jo më të gjatë se 10 ditë. 5. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë. Ndaj tij nuk bëhet ankim. 6. Kolegji Zgjedhor është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë se tre ditë nga data e dhënies së tij.