Shtresa e popullsisë shqiptare që ka vuajtur mbi kurriz kalvarin e gjatë të torturave nga regjimi komunist, janë ish të përndjekurit dhe të burgosurit politikë. Ata që kanë patur kurajën të mendojnë ndryshe dhe të dalin hapur kundër regjimit më të egër komunist në Europë, kundër ndrydhjes, shtypjes, talljes me inteligjencën e kombit shqiptar, janë përndjekur e torturuar në burgjet e diktaturës së egër. Kjo shtresë ka kërkuar ndër vite që të hapen dosjet e Sigurimit të Shtetit për të zbuluar ata që kanë marrë pjesë në vrasjen, ekzekutimin dhe dënimin e njerëzve me pa të drejtë. Kryetari i Partisë Rruga e Lirisë, njëherësh ish i përndjekur politik, Kurt Kola, në një intervistë për gazetën “Sot”, flet pas ngritjes së Autoritetit për Informimin e Dosjeve, se sa i suksesshëm do të jetë ky proces. Kurt Kola deklaron se puna e Autoritetit nuk do të jetë e lehtë, pasi Partia e Punës ka zhdukur dosjet e komunizmit, ndërsa gjatë këtyre viteve politikanët e implikuar në Sigurimin e Shtetit janë kujdesur që të zhdukin dosjen e tyre. Ai thotë se ligji që është hartuar nuk i largon spiunët nga administrata, nga politika. Kola shprehet se dosjet duhet të hapeshin në 1994, ndërsa tani është shumë vonë. Fakti që hapja e dosjeve është vonuar, Kola fajëson PD dhe PS, atje ku janë strehuar spiunët e Sigurimit.
Kuvendi i hapi rrugë Autoritetit për Informimin e Dosjeve. Mendoni se do ketë sukses procesi për zbulimin e bashkëpunëtorëve të Sigurimit?
Dosjet do të hapen në mënyrë selektive. Edhe ato dosje që kanë mbetur nuk do të hapen të gjitha, por në mënyrë selektive. Pas 26 viteve kanë rënë interesi për hapjen e dosjeve; njerëzit pas një çerekshekulli e kanë humbur interesin për hapjen e dosjeve. Do të shohim se si do të shkojë ky proces.Ky ligj nuk i cenon ata spiunë që vijojnë të jenë në administratë dhe në funksione të tjera të larta, si deputetë ose zyrtarë të tjerë. Pra, ne nuk kemi ligjin e lustracionit që të bëhej largimi i tyre. Duhej që paralel me këtë të ishte dhe ligji i lustracionit, që i përjashtonin automatikisht këta persona; duhej që të bëhej e njëjta gjë siç ka ndodhur me vendet lindore që kanë qenë në sundimin komunist, mirëpo këta e përjashtuan lustracionin.
Me nisjen e punës, Autoriteti ka konstatuar se dosjet janë zhdukur, dëmtuar dhe një pjesë e tyre janë të painventarizuara që nga viti 1992. Sa i lehtë do të jetë ky proces për këtë institucion?
Nuk merret vesh se çfarë dosjesh kanë mbetur. Qeveritë e ndryshme që kanë ardhur e kanë ikur, janë kujdesur të pastrojnë dosjet, dhe tashmë nuk dihet se çfarë dosjesh kanë mbetur.
Cilat dosje kanë mbetur në SHISH dhe Ministrinë e Brendshme?
Pjesa më e madhe e dosjeve të rrezikshme janë zhdukur. Edhe punonjësit që janë marrë me ruajtjen e dosjeve kanë 25 vjet që kanë dalë në pension.
Përflitet se një pjesë e politikanëve kanë qenë të lidhur me Sigurimin. A keni dijeni se çfarë kanë bërë politikanët me dosjet e tyre?
Ata politikanë që kanë patur dosje dhe gjatë kësaj kohe që kanë qenë në pushtet, sigurisht janë interesuar që të pastrohen dosjet e tyre. Ato dosje duhet të hapeshin të paktën në vitin e dytë të tranzicionit, deri në vitin 1994 duhet të hapeshin dosjet. Tani nuk dihet se çfarë është bërë me dosjet. Një pjesë të dosjeve i ka zhdukur Partia e Punës. E djathta është më keq se e majta, ajo i ka marrë spiunët të gjithë në parti. Çfarë e djathtë mund të quhet ajo? Nuk ka parti të djathta, të dyja janë të majta, por njëra është më e majtë se sa tjetra. Kush e ka udhëhequr të djathtën, a ka ndonjë disident që e ka udhëhequr të djathtën në këto 25 vjet? Vetë Sali Berisha ka qenë Sekretari i Partisë së Punës. Ai nuk mund të bëhej për një natë i djathtë. Këto i ndau Ramizi sipas qejfit, dhe ata e katandisën vendin edhe më keq në këto 25 vjet.
Çfarë të dhënash ka patur në dosjet e politikanëve?
Që nga fillimi i tranzicionit e në vazhdim kanë dalë shumë pseudonime në Parlament. Nuk është marrë njeri me këtë punë, kjo është çështja. Gjithsecili mundohet ta ushqejë vjedhjen e vet. Është e natyrshme. Këta politikanë e mbrojnë veten në rast se do t’u dalë emri.
Pse klasa politike ka zvarritur 26 vite procesin për hapjen e dosjeve? Pse nuk kanë dashur të shkëputen nga e kaluara komuniste?
Në të dyja partitë, pra si në PS edhe PD, ka pasur me shumicë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që nga shkallët më të ulëta, e deri në shkallët më të larta të pushtetit dhe të partisë. Pra ka pasur në administratë drejtorë, ka pasur deputetë, ka pasur ministra, zëvendësministra, e deri në shkallën më të lartë, deri tek presidentët. Duke qenë se këta ishin të implikuar vetë me Sigurimin e Shtetit, natyrisht nuk mund të ishin dakord për të hapur edhe dosjet e tyre. Nuk pritej që të ndodhte një gjë e tillë.
A është hartuar në mënyrë të qëllimtë ligji që të mos hapen dosjet e politikanëve të implikuar me Sigurimin e Shtetit.
Dosje do të hapen nëqoftëse një person ka dyshim te dikush që i ka bërë ndonjë spiunllëk. Nuk do të hapen në përgjithësi. Partia Demokratike, si parti e pluralizmit, premtoi që në fillim hapjen e dosjeve. Por PD nuk përfaqëson aspak të djathtën shqiptare. Në Shqipëri nuk ka patur të djathtë në pushtet, sepse ka parti të vogla të djathta që nuk kanë ardhur në pushtet. PD, një parti që erdhi si rezultat i revoltës popullore për të rrëzuar komunizmin, nuk është e djathtë, sepse e djathta ka një traditë qeverisjeje, ka një program ku baza janë pronarët, ish të burgosurit politikë, ish shtresa anti-regjimit dhe sulmin e parë PD e bëri ndaj pronarëve në shtator të 1993-shit, ndaj ish pronarëve kur ata bënë një grevë urie për pronat, për të kundërshtuar ligjin 7501.
Ky proces a duhet të shoqërohej me lustracion?
Do të ishte e domosdoshme. Lustracioni nuk parashikohet në ligj që të ruhen bashkëpunëtorët e Sigurimit, që janë në politikë. Nuk kanë dëshirë, nuk duan politikanët t’i hapin dosjet e tyre, megjithëse ato janë zhdukur. Për sa kohë nuk u aprovua edhe ligji i lustracionit, ata që kanë bërë krime gjatë kohës së komunizmit nuk e duan hapjen e dosjeve. Pse ata nuk dua t’i hapin dosjet? Sepse do të dalin shumë të palara, do të dalin shumë gjëra të fshehura. Spiunët, bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit funksionojnë në këto 25 vjet që nga sfera më e lartë e shtetit, duke zënë pozicionet më kyçe. Nuk dua të përmend institucione konkrete, por është e qartë që ata ndodhen në postet më të larta si tek ministritë ashtu edhe tek drejtoritë.
Me çfarë problemesh po përballen sot ish të përndjekurit dhe a ka qenë në nivelin e duhur mbështetja e qeverisë?
Pjesa më e madhe e tyre nuk kanë një pension për të jetuar; përballen me mungesën e strehimit; përballen me mungesën e punës, sepse puna tani është bërë që domosdoshmërisht duhet të kesh shkollën e lartë, por të përndjekurit nuk e kanë pasur mundësinë, sepse kanë qenë nëpër burgje internimi. Pra përplasen me shumë probleme. Pjesa më e madhe nuk jetojnë më, dhe kanë mbetur 2 mijë vetë gjallë.