Përballë me kangjellat e terminalit të trag eteve, në krah të rrugës së re të portit të Durrësit është ndërtuar një barakë prej druri dhe copa eterniti.
Brenda në barakë gjendet një krevat, një mangall qymyri, disa qirinj, një qese plastmasi me rroba, një pjatë dhe një lugë. Kjo është e gjithë pasuria që ka 35-vjecarja Admirana Topalli, nënë e një vajze 15-vjecareje, por fytyra e saj tregon dy dekada më e madhe në moshë. Në të ftohtin e acartë të këtij dimri 35-vjeçarja kërkon ndihmë (të punësohet), pasi streha e saj pritet do të shembet si ndërtim pa leje.
Fati është treguar mizor me këtë grua, pasi i është dashur të lypë dhe të prostituojë për të mbajtur frymën gjallë. E lindur në Suç të Burrelit, 20 vite më parë ajo u dërgua në Durrës, me qëllim trafikimin për prostitucion. “Isha vetëm 15 vjeçe kur halla ime më solli në Durrës. Më tha do të të martojmë. Ajo më la tek një burrë, i cili donte të më trafikonte në Greqi për prostitucion. Më pas, ai më shiti tek një burrë tjetër, i cili fillimisht më mbajti për grua dhe linda një fëmijë.
Pas lindjes së vajzës, ish-bashkëshorti im më nxori në rrugë si prostitutë”, kështu deklaroi dje për “Gazeta Shqiptare”, Admirana Topalli. Por, fati i keq e ka ndjekur nga pas vajzën nga Suçi i Burrelit, e cila ndonëse u shit nga halla e saj, i ktheu “shpinën” familja e saj duke e lënë në mes të katër rrugëve. 35-vjeçarja dje rrëfeu me detaje të gjithë historinë e saj, ndërsa pohoi se u detyrua të hiqte dorë nga e bija, duke e birësuar atë tek një çift nga Elbasani.
HISTORIA
Admirana Topalli ka përjetuar ferrin me burrin, tek i cili u shit për herë të dytë. Ndonëse lindi një fëmijë me të, ai e ka detyruar që të prostituojë. E terrorizuar, e reja nga Burreli e ka denoncuar në polici “bashkëshortin” e saj. E ndërsa ky i fundit u arrestua, ajo u dërgua në një qendër rehabilitimi në Vlorë. “Babain e vajzës sime e denoncova në polici se më nxiu jetën. Ai më detyronte të prostituoja. Nga frika se im shoq (vdiq më pas në burg) mund të fuste njerëz që të më vrisnin, autoritetet më dërguan në një qendër rehabilitimi në Vlorë. Por, atje ishte mizerje, nuk kishte asnjë kusht, ndaj ika dhe u ktheva sërish në Durrës, por mbeta në rrugë të madhe”, tha 35- vjeçarja. Pas kthimit në qytetin e Durrësit, Admirana Topalli ia dha vajzën për birësim një çifti nga Elbasani, pasi e vetme nuk mund ta rriste.
“Po ta mbaja, do bëhej njësoj si unë. Ja dhashë çiftit Kiptiu nga Elbasani. Ata jetojnë në Itali. Unë nuk mund t’i siguroja time bije asgjë, as bukë thatë”, u shpreh mes lotëve 35-vjeçarja. E braktisur nga prindërit, motrat dhe vëllezërit, Admirana Topalli është detyruar të lypë, të prostituojë dhe të flejë rrugëve e poshtë urave. Aktualisht, ajo e mban frymën gjallë duke lypur dhe duke rrëmuar në kazanët e plehrave. Për disa vite, ajo ka punuar në ndërmarrjen e pastrimit të qytetit bregdetar, por e kanë hequr nga puna për shkak të mungesës së dokumentacionit. Topallit i është kërkuar që të bëjë transferimin e saj në Durrës me dokumentacion që të përfitojë ndihmë ekonomike.
APELI PËR NDIHMË
“Që të bëjë shpërnguljen nga Burreli në Durrës më duhen 50 mijë lekë të vjetra, por nuk i kam. Mezi arrij të sigurojë bukën e gojës. Kryetari i komunës në vendlindjen time në Burrel më tha që duhet të bëj transferimin që të përfitoj ndihmë ekonomike. Por, nuk kam lekë të blej një panine. Kur kërkoj punë, më thonë se ‘ti vetëm të lypësh di, shko e puno’, po ku të punoj?! Askush nuk më ndihmon”, pohoi Admirana Topalli. Ajo tha se shpreson që një ditë ta ndihmoj vajza e saj.
“Kam vajzën, mbase bëhet e gjallë e më kërkon një ditë. Mbase i dhimbsem e më gjen, se edhe pak do e rritet. Unë nuk dua të lyp rrugëve, por dua ta fitojë bukën e gojës me djersë. U bëj apel drejtuesve të Bashkisë së Durrësit që të më punësojnë në ndërmarrjen e pastrimit të qytetit, aty ku kam punuar për disa vite. Nuk kam asnjë kërkesë tjetër, sepse po të jem në punë, do të mund të siguroj një strehë ku të fus kokën. Nuk do të detyrohem të lypë dhe do të jetoj pa ia shtrirë dorën askujt”, 35-vjeçarja, e cila është përballur me të gjitha frikërat e jetës, nuk kërkon as ndriçim, as ujë, as tualet, as rroba, as sobë, as shtëpi, pavarësisht se të gjitha këto i mungojnë në barakën ku kalon ditënetët. Ajo kërkon vetëm një punë. /GSH