Komisioni për matjen e territorit të Kosovës, të cilin e ka propozuar Qeveria e Kosovës, ende nuk ka arritur të formohet dhe mbetet pikëpyetje se kur një komision i tillë do të mund të fillonte punën, konfirmojnë zyrtarët e ekzekutivit.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria tashmë ua ka dërguar ftesat 18 subjekteve, përfaqësuesit e të cilave është paraparë se duhet të jenë pjesë e këtij komisioni.
Sipas tij, afati i kthimit të përgjigjes lidhur me pjesëmarrjen ose jo në këtë komision nga subjektet e ftuara, është gjysma e janarit të këtij viti. Në rast se përgjigjen pozitivisht subjektet e ftuara, sipas Abdullahut, puna e komisionit do të niste menjëherë.
“Ne jemi duke punuar në këtë drejtim sipas logjikës ‘sa më shpejt aq më mirë’ dhe menjëherë, në kohën që do t’i kemi ekspertët e institucioneve përkatëse, prej të cilave kemi kërkuar që të na dërgohen si pjesëmarrës aktiv të këtij komisioni, menjëherë do të fillohet nga puna, sepse është çështje urgjente, që nuk pret dhe duhet ta procedojmë sa më shpejt”, deklaron Abdullahu.
Ai shton se ftesat për pjesëmarrje në Komisionin për matjen e territorit të Kosovës, u janë bërë institucioneve të ndryshme që janë të ndërlidhura drejtpërdrejt në aspektin profesional me çështjen, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, komunave që janë të prekura nga procesi, sikurse; Deçani, Istogu dhe Juniku, si dhe u është kërkuar edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë që t’i dërgojnë ekspertët e tyre për vëzhgim të procesit.
Sipas Abdullahut, për pjesëmarrje në këtë komision, ftesat që t’i dërgojnë ekspertët e tyre u janë bërë edhe partive politike, përfshirë këtu edhe ato opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, të cilat kanë kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, përgatiti Zëri. (b.an)