Vijojnë inspektimet e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në zonat e prekura nga reshjet e dëborës dhe moti i ditëve të fundit. I shoqëruar nga deputeti i zonës Pjerin Ndreu, strukturat e Emergjencave Civile dhe pushtetit lokal të Franit, ministri tha se kapriçot e motit nuk mund të zgjidhen, por ekziston zgjedhja për të përballuar vështirësitë bashkë.
“Është përpjekja jonë, e kryeministrit, e qeverisë, për të bërë gjithçka kemi në dorë që këto ditë të vështira të kalojnë sa më lehtë për çdo banor të Pukës, Fushë Arresit, Qafës së Malit dhe çdo zone që ka pasur probleme me dëborën dhe motin. Nuk është e lehtë. Ndaj po bëjmë gjithçka që kemi mundësi që familjet në nevojë të mos kenë probleme të rënda nga pikëpamja e ushqimeve, veshmbathjeve, kujdesit shëndetësor, komunikimit”, tha ministri.
Tahiri kujtoi dhe njëherë masat e marra së fundmi nga qeveria aktuale, në një qasje të ndryshme krahasuar me atë të qeverive të kaluara.
“E gjithë struktura shtetërore është në këmbë, Emergjencat Civile, emergjenca shëndetësore, pushteti vendor. Policia është në gatishmëri. Deputeti është këtu 24 orë në 24. Në këto katër ditë kemi shpërndarë gati 42 ton ndihma ushqimore për familjet në nevojë. Nuk është aq sa duhet, mbase nuk mjafton. Por kjo është një qeveri që nuk i ka kthyer kurrizin njerëzve dhe nuk i le ata të përballen vetë me vështirësitë e tyre”, tha Tahiri.
Deputeti i zonës Pjerin Ndreu rikujtoi hapjen e rrugëve dhe mbajtjen në kontroll të situatës energjetike në zonë, ndërsa bashkë me ministrin Tahiri theksuan besimin se ditët e vështira, ashtu si çdo vështirësi, mund të përballohen bashkërisht.