Një borxh i pashlyer për pak sa nuk i ka kushtuar jetën një 33-vjeçari, i cili, pasi është dhunuar e goditur me tytë pistolete në kokë, është gjetur pa ndjenja në afërsi të Vorës. Burime nga Policia e Tiranës thanë se dyshohet të kenë qenë 4 persona, të cilët i kanë zënë pritë shtetasit Kadri M., në autostradën Tiranë–Durrës, në kohën kur ai po kthehej me makinë për në shtëpi, raporton “Panorama”.
Pasi ka zbritur nga makina, autorët e kanë goditur fillimisht me grushte e shqelma më pas njëri prej tyre ka nxjerrë pistoletën duke e kërcënuar. “Herës tjetër do e shkrepim”, mësohet t’i ketë thënë njëri prej të dyshuarve dhe më pas e ka goditur me tytën e armës në kokë, duke e lënë pa ndjenja në asfalt.
Burime nga Policia thanë se 33-vjeçari Kadri M. është dërguar në Spitalin e Traumës, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Më pas i është marrë edhe kallëzim rreth ngjarjes, ku ai ka sqaruar rrethanat, duke dhënë edhe versionin e vet rreth motiveve të sulmit.
HETIMI
Nisur nga deklarimet e 33- vjeçarit Kadri M., sulmi ndaj tij ka ndodhur në shenjë paralajmërimi për t’i kthyer borxhin një personi, i cili nuk dihet nëse ka qenë apo jo mes autorëve në momentin e ngjarjes.
Burime nga Policia thanë se vetë i dëmtuari ka treguar se i ka një borxh prej 17 mijë eurosh shtetasit me iniciale A.S., 38 vjeç, që ende nuk ka mundur t’ia kthejë. Sipas tij, edhe personat që e kanë sulmuar, të cilët kanë qenë 4 veta të maskuar që kanë ushtruar dhunë ndaj tij për vetëgjyqësi dhe i kanë përmendur borxhin në momentin që kanë nxjerrë armët.
Më pas, ai thotë se nuk mban mend asgjë, pasi nga goditje me tytën e pistoletës ka rënë pa ndjenja në tokë dhe nuk kujton më shumë nga ngjarja. Burime nga grupi hetimor thanë se ka dyshime për disa persona që mund të kenë marrë pjesë në ngjarje, por po punohet për identifikimin e plotë të tyre. Nga ana tjetër, po verifikohet edhe ndonjë pistë tjerë veç asaj të borxhit që pretendon vetë i dëmtuari.
ma.me