Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të punësojë 338 punonjës me kohë të pjesshme në funksion të menaxhimit të procesit zgjedhor për 18 qershorin. Kategorizimi i të kërkuarve fillon me specialistë të IT-së, topografë, juristë, përkthyes, operatorë, elektricistë, fonistë, teknikë të hartave, operatorë të përpunimit të informacionit zgjedhor, etj.
Këta punonjës do të nënshkruajnë një kontratë të përkohshme disa mujore me Komisionin dhe do të jenë në funksion të procesit zgjedhor.
“Në këtë kuadër të detyrimeve ligjore që ka KQZ-ja, lidhur me organizimin, administrimin dhe kontrollin e procesit zgjedhor, për zgjedhjet për Kuvend, që do të zhvillohen më datë 18 Qershor 2017, referuar nenit 21, pika 21 të Kodit Zgjedhor, duhet të miratohen shtesa në organikën e KQZ-së.
Këto shtesa përfshijnë punonjës të kategorive të ndryshme me kohë jo të plotë. Personeli me kohë jo të plotë pune do të rekrutohen dhe do të punojnë vetëm për periudhën e përgatitjes zgjedhjeve, deri në përfundimin e të gjitha detyrimeve ligjore, që ka në të gjitha strukturat e Administratës së KQZ-së. Drejtoritë e Administratës së KQZ-së kanë paraqitur propozimet për nevojat që kanë për Zgjedhjet e Kuvendit 2017, të cilat përgjithësisht janë si në zgjedhje të mëparshme.
Drejtoria e Burimeve Njerëzore ka bërë sistemimin dhe rakordimet e propozimeve të drejtorive dhe i ka renditur në një material. Në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 18 Qershor 2017, do të punësohen gjithsej 338 punonjës, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2013 u punësuan 385 punonjës dhe në zgjedhjet vendore të vitit 2015 u punësuan 335 punonjës”,-thuhet në relacionin e KQZ-së.
Shpenzimet
Gjatë këtij viti zgjedhor Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të harxhojë 139,3 milionë lekë. Këto para do të shpenzohen për kategori të ndryshme. Për paga do të shpenzohen 63,000,000 ose 45.23%.
Shpenzime për sigurime shoqërore dhe shëndetësore arrijnë në 11,300,000 lekë, ose 8.11%. Shpenzime për mallra dhe shërbime janë 31,460,000 ose 22.58%. Nga këto materiale të përgjithshme zyre do të blihen me 1,869,000 lekë, materiale dhe shërbime speciale plot 60,000 lekë, shpenzime për shërbime janë planifikuar 13,717,400 lekë, ose 43.60% e buxhetit total vjetor.
Të pakta janë shpenzimet e transportit me 241,000 lekë, 0.77%. Shpenzime për udhëtime dhe dieta janë parashikuar 2,920,000 lekë, ose 9.28% e buxhetit total. Shpenzime për mirëmbajtje të zakonshme janë 795,600 lekë, 2.53% e totalit.
E madhe ngelet vlera e parashikuar për shpenzime për kompensime legale, plot 10,794,000 lekë, ose 34.31% e totalit. Shpenzime te tjera operative parashikohen 1,063,000 lekë dhe investime 33,000,000 lekë, 23.69% e totalit të buxhetit vjetor të KQZ-së.
ma.me