Në fund të vitit 2016 TAP përfundoi fazën e parë të përmirësimit të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, duke ndërtuar rreth 58 km rrugë ndihmëse, ndërtimin e dy urave të reja dhe përmirësimin e strukturës së 40 urave të tjera. Lajmi konfirmohet nga vetë kompania e cila shprehet se punimet zgjatën një vit e gjysmë.
Infrastruktura e përmirësuar rrugore do të lehtësojë transportimin e tubave dhe pajisjeve të nevojshme për veprimtaritë ndërtimore të gazsjellësit. Ajo gjithashtu do të ndihmojë në zhvillimin e komuniteteve vendore dhe bizneseve përreth në qarqet e Korçës, Beratit dhe Fierit. Rreth 200’000 persona do të përfitojnë nga kjo infrastrukturë rrugore e përmirësuar.
Punimet u projektuan që të kishin ndikim minimal në mjedis dhe në komunitetet përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Më shumë se 600 punëtorë u përfshinë në këtë proces dhe më shumë se 99% e tyre ishin shqiptarë.
Karl Roberts, Menaxheri i Projektit TAP për Shqipërinë përgëzoi të gjithë ata që kanë kontribuar për arritjen e këtij rezultati.
“Me gjithë relievin e ndërlikuar dhe problematik, me pika që arrin në lartësi 1.800 metra, punimet u mbyllën në kohë, sipas buxhetit, dhe mbi të gjitha sipas standardeve më të larta të sigurisë. Për më tepër, jemi krenar të theksojmë disa arritje në Shqipëri. Është hera e parë që urat janë përforcuar pa ndërprerë qarkullimin rrugor, është hera e parë që guroret dhe vendet e derdhjes së materialeve natyrore janë rehabilituar sipas standardeve të rrepta mjedisore dhe është hera e parë që është treguar kaq kujdes për ruajtjen, monitorimin dhe shpëtimin e artefakteve të trashëgimisë kulturore,” shtoi Roberts.
Faza e dytë e përmirësimit të rrugëve, përbërë nga rreth 120 km rrugë, do të zbatohet nga kontraktori i TAP-it për Inxhinierinë, Prokurimin dhe Ndërtimin Spiecapag.