Zonat e varfëra, pa punë dhe pa asnjë mundësi zhvillimi në Stravaj të Përrenjasit, kanë pësuar një goditje të rënda nga moti i acartë i këtyre ditëve duke sjellë izolim total. Ndërkohë, banorët e këtyre zonave nuk kanë marrë asnjë shërbim, ndihmë apo përkujdesje nga qeveria prej një jave.
Drejtuesit e Partisë Demokratike dhe sekretari Ervin Salianji ishin pranë banorëve.
“Jemi në mbështetje të banorëve të zonave të bllokuara dhe me probleme për shkak të motit të acartë të këtyre ditëve. Ndryshe nga herët e tjera ku këto zona mbulohen edhe më shumë me borë, keqmanaxhimi i qeverisë ka bërë që fshatrat e Librazhit, si në të gjithë Shqipërinë, të jenë të bllokuara për shkak të mosshpalljes së situatës së emergjencës apo të një emergjence artificiale të krijuar nga qeveria në ekrane në Tiranë”, tha Salianji.
“Jam banor i zones dhe kam studiuar në universitet. Nuk po arrij të gjej një vend pune. Kudo që drejtohem më kërkojnë teserën e partisë, apo drejtori që të kërkon lekë”, shprehet një i ri i papunë.
“Mjeku na vjen nje herë në disa ditë. Nuk mund të sëmuresh sot, por ditën që vjen mjeku”, thotë një kryefamiljar.
“Nuk kemi asnjë përkrahje. Nuk kemi as tokë. Marr vetëm 50 mijë lekë të vjetra asistencë. Jemi 4 vetë në shtëpi vec me këtë asistencë”, ankohet një banor i zonës. /java/b.d