Gjykata e Lartë liroi dje nga paraburgimi Odhise Andrean, bashkëshortin e gjyqtares së pezulluar të kësaj gjykate, Majlinda Andrea, të dy të akuzuar për një aferë korruptive me vlerë 50 mijë euro.
Pa kaluar 72 orë nga momenti i vetëdorëzimit të tij në Policinë e Tiranës, pasi iu fsheh hetimit nga 16 korriku 2016, masa e tij e sigurisë “arrest në burg” u zëvendësua dje me atë të “arrestit shtëpiak”, raporton “Panorama”.
Ai hyri i prangosur në gjykatë dhe doli me duar të zgjidhura. Zbutja e masës së sigurisë u vendos nga i njëjti kolegj penal që shqyrton dosjen në themel në ngarkim të bashkëshortëve Andrea dhe tre të bashkëpandehurve të tyre.
“Urdhërohet i pandehuri të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me asnjë person tjetër, përveç familjarëve”, thuhej në vendimin e Kolegjit Penal. Gjatë seancës, përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme kërkoi lënien në fuqi të masës “arrest në burg”, duke përmendur faktin se i pandehuri i është fshehur hetimit.
Me tone të ashpra në sallën e gjyqit, mbrojtësi i Andreas, avokati Ardian Visha, tha se prokuroria ka bërë një interpretim të çartur të fakteve.
“Masa ekstreme ‘arrest në burg’ është tërësisht e panevojshme. E vetmja pengesë për vetëdorëzimin ka qenë qenia jashtë vendit kur u caktua masa e sigurisë”, tha Visha. Pretendimet e mëtejshme u vijuan nga vetë i pandehuri Andrea.
Ai pranoi të ketë marrë shumën e lekëve nga ana e Petraq Dashit, por, sipas tij, kjo shumë ishte për blerjen e një makinerie në një aktivitet biznesi të tij. I pandehuri hodhi akuza drejt organit të hetimit, duke pohuar se Prokuroria ka përzgjedhur vetëm disa nga bisedat e përgjuara dhe raportet e vëzhgimit, duke stisur fakte të paqena.
“Panorama” zbardh të plotë rrëfimin e bërë nga ana e të pandehurit Andrea në sallën e gjyqit, ku ai dha një version krejtësisht të kundërt me atë të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas Prokurorisë, Odhise Andrea ka marrë 50 mijë eurot në formë ryshfeti për bashkëshorten e tij gjyqtare për të dhënë një vendim të favorshëm në një çështje të shqyrtuar prej saj.
DEKLARIMI I PLOTË I ANDREAS
Jam njohur me dokumentet e procesit përmes avokatit tim. Nuk jam dakord me akuzën. Më 7 korrik 2016 janë takuar me shtetasi Petraq Dashi, pasi është një kushëri i bashkëshortes sime. Jam takuar rreth orës 13:00 në Rrogozhinë.
Ai është biznesmen, ashtu si edhe unë, pasi kam një aktivitet privat. Për nevoja të biznesit kishim bërë bisedë për të më dhënë një sasi lekësh. Këtë gjë e kishim bërë edhe herë të tjera. Më kishte premtuar se do të më ndihmonte nëse do të gjente mundësinë, ashtu siç dhe unë e kisha ndihmuar.
Të premten ika në Greqi dhe u ktheva të dielën në darkë. Të hënën pasdite Petraqi më telefonoi dhe më tha që “jam në Tiranë”. U takuam. Më tha që më kishte sjellë lekët. Paratë do të përdoreshin për një biznes, që unë e kisha hapur në muajin nëntor. Aktiviteti i këtij biznesi ishte mermeri dhe graniti. Me ortakun tjetër kishim rënë dakord të depozitonin lekë, që do të përdoreshin për blerjen e një makinerie. Pretendimet e prokurorisë janë dashakeqe, pasi nuk kanës fiksuar çdo gjë në procesverbalet e përgjimeve, apo vëzhgimit.
“KU I MORA LEKËT”
Ne qëndruam gati 30 minuta në tavolinë. Kemi diskutuar për biznesin tim dhe biznesin e tij. Unë i kam treguar edhe katalogë të biznesit tim. Pasi u çuam, unë i kam marrë lekët. Lekët i mora në trotuar, kur u ndamë. Ishin në një vend të hapur, ashti si saktësohet edhe nga raportet e vëzhgimit ambiental.
Unë shkova deri te hyrja e pallatit. Lekët që kisha në dorë shkova dhe i lashë në makinë, pasi garazhi i pallatit tonë ka edhe roje edhe kamera. Të nesërmen, më 12 korrik, jam nisur për në Durrës bashkë me Petraq Dashin. Kam bërë disa veprime te Drejtoria e Rrugëve. Kemi shkuar edhe në një lavazh.
Prokuroria ka fiksuar vetëm disa gjëra. Pastaj kam shkuar në një “exchange” dhe në një bankë. Këto veprimet janë fiksuar nga grupi i vëzhgimit, por nuk janë fotografuar. Kam shkuar në një bankë tjetër, ku kam bërë një pagesë për biznesin. Ky veprim nuk është fiksuar. Jam kthyer në Tiranë. Të nesërmen në mëngjes, ditë e mërkurë, unë rastësisht unë kam dalë jashtë kontrollit nga grupi i vëzhgimit.
Unë kam lëvizur nga Tirana. Kam qenë në Berat, një Poshnjë, në Roskovec dhe Kutalli. Kam komunikuar me Petraq Dashin për të shkuar te zyrat e firmës në Fier. Duhet të bënim akt noterial për justifikimin e shumës, pasi ishte një shumë e madhe. Rrugës nuk jam mbajtur në vëzhgim.
“I THASHË GRUAS”
Te një autogril kam takuar një ish-koleg. Ai më ka thënë që një miku yt që ka biznes të ka implikuar dhe ty në një veprim të jashtëligjshëm. U ktheva në Tiranë rreth orës 17:30. I thashë bashkëshortes për këtë fakt. Ajo e dinte që më duheshin një sasi lekësh për biznesin. Pagesa duhet të bëhej në korrik. Unë nuk i thashë asaj shifër, por një sasi. I thashë ‘Di me çfarë merret Petraqi?”.
Më tha që nuk e dinte dhe përse ai mund të na kishte implikuar ndokund. Shkova takova një mikun tim avokat, të cilit i tregova për këtë moment. Të enjten kam qenë në punë dhe më pas kam ikur në Durrës. Rreth orës 15:20 jam nisur për në Fier.
Kur isha në Rrogozhinë, më merr bashkëshortja dhe më thotë që avokati i kishte thënë se nuk është bërë ndonjë kallëzim ndaj jush dhe se nuk jeni të implikuar, kështu që bëj aktin noterial.
TE NOTERI
Mora Petraqin dhe i thashë që jam te noteri në Fier. Ai erdhi dhe kemi bërë aktin noterial. Pastaj jam kthyer në banesë në Tiranë. Të premten isha në Durrës, ku po përgatitesha për të ikur në Itali. Kisha prenotuar hotel 10 ditë para. Bëra disa pagesa të tjera. Prokuroria i ka harruar momentet që nuk i interesojnë. Unë kam biseduar me vëllain tim për të marrë biletat dhe siguracionin e makinës. Unë kam ikur në Itali në 12 të natës. Në mëngjes është bërë masa. I kishin mundësitë që të na ndalonin, por e kanë bërë me qëllim për të më diskretituar. Bashkëshortja ime është kthyer të nesërmen në Shqipëri.
KTHIMI NË SHQIPËRI
Më 17 korrik u vu emri im në kërkim ndërkombëtar. Unë nuk mund të kthehesha, pasi do të ndalohesha në çdo pikëkalimi kufitar dhe më tej procedurat e ekstradimit zgjasnin në 3-6 muaj. Mora masa të vij në Shqipëri. Gjeta mënyrë në rrugë të ndryshme. Akuza nuk qëndron dhe prokuroria është dashakeqe. Unë ndaj erdha para trupit gjykues për të thënë të vërtetën.
java/b.d