Pronarët e apartamenteve pa certifikata pronësie do kenë të drejtë të aplikojnë vetë pranë ALUIZNIT për marrjen e tapisë. Sipas vendimit të kësaj jave të Qeverisë, në rast se firma e ndërtimit nuk aplikon për legalizim 30 ditë nga marrja e njoftimit nga ana e ALUIZNI-t, pronarët e apartamenteve mund të nisin vetë procedurat e regjistrimit.
Verifikimi në terren i pallateve do të bëhet nga ALUIZNI, i cili do të publikojë në faqen zyrtare listat e pronarëve të apartamenteve. ALUIZNI do të bëjë gjithashtu miratimin e lejes për gjithë objektin dhe do të regjistrojë në hipotekë në emër të vet godinën.
Pronarët duhet të paraqesin tek ALUIZNI 30 ditë pas afishimit të listave kontratat e blerjes së apartamenteve. Nëse për legalizim kanë aplikuar, si firma ndërtuese, ashtu edhe banorët, objekti do të legalizohet në emër të firmës. Në rastet kur objekti legalizohet në emër të firmnës kjo merre përsipër çdo kosto që përmban procesi. Nëse legalizimi bëhet në emër të banorëve, ata do të paguajnë vetëm taksën e ndikimit në infrastrukturë.