Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, ka përcaktuar masën e shpërblimit për anëtarët e komisioneve zgjedhore dhe anëtarët e grupeve të numërimit të votave.
Sipas vendimit të përgatitur nga administrata zgjedhore dhe që pritet të miratohet të enjten, në caktimin e masës së shpërblimit KQZ merr në konsideratë kohën e funksionimit të këtyre komisioneve, KZAZ dhe KQV, ngarkesën e punës, si dhe përgjegjësinë e tyre në administrimin e procesit zgjedhor.
Vendimi parashikon që masa e shpërblimit për kryetarin dhe zv/kryetarin e KZAZ-së të jetë në vlerën e 65.000 lekëve, ndërsa për anëtarët dhe sekretarin e KZAZ-ve të jetë 60.000. Ky shpërblim lidhet me angazhimin e tyre nga momenti i konstituimit e deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
Ndërsa për kryetarin e Komisionit të Qendrës së Votimit (KQV) masa e shpërblimit do të jetë në vlerën e 4.000 lekëve; për anëtarin dhe sekretarin do të jetë në vlerën e 3.500 lekëve, ndërsa anëtarët e Grupit të Numërimit të Votave (GNV) do të shpërblehen me 6.000 lekë.
Të enjten, KQZ pritet të miratojë dhe disa vendime të tjera, si ai për përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve për shfaqjen e fletëve të votimit, në Vendin e Numërimit të Votave; vendimin për modelin e fletës së votimit, e cila duhet të përmbajë elementë sigurie që garantojnë sigurinë e prodhimit dhe përdorimit të saj, etj.