Nga fushata elektorale e 2011, kohë kur kryebashkiaku i atëhershëm i Tiranës, Edi Rama do të prezantonte projektin e tij për Bulevardin e Ri, u deshën plot 5 vite që në të të vendosej pllaka e parë. Kryeministri Edi Rama si ideatori dhe nismëtar i këtij projekti dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si kryebashkiaku që do të përfundojë këtë projekt, kanë vendosur sot në mënyrë simbolike dy pllakat e para në këtë bulevard, çka shënon edhe nisjen e fazës së fundit të ndërtimit të segmentit të tij të parë. Kryeministri tha në fjalën e tij se pikërisht për shkak të votës, ndryshimi mund të jetë radikal. Kreu i qeverisë theksoi se falë Kryebashkiakut Veliaj dhe ekipit që ai drejton, Tirana është tashmë një kryeqytet në lëvizje.
“Tirana mund ta kishte patur këtë bulevard sot, mund ta kishte sheshin sot. Po ja për shkak të votës, gjërat nuk shkuan ashtu siç do të duhet të shkonin dhe për shkak të votës Tirana humbi vite, u përpëlit në një kurth të pakuptimtë dhe faktikisht u tërhoq zvarrë. Dhe po për shkak të votës, Tirana sot jo vetëm është vënë në lëvizje, por është vënë në lëvizje me një shpejtësi të re, me një shpejtësi të cilën nuk e ka pasur asnjëherë, falë lidershipit të kryetarit të bashkisë, falë ekipit të bashkisë, falë mobilizimit të ndjeshëm në çdo aspekt të të gjithë njerëzve që punojnë me bashkinë apo për bashkinë dhe që lidhet me këtë energji të jashtëzakonshme, të re që i ka sjellë Tiranës pikërisht një votë në drejtimin e duhur. Falë votës në drejtimin e duhur Tirana do të ketë shumë shpejt Bulevardin e Ri, Tirana do të ketë shumë shpejt më në fund sheshin e vet”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se bulevardi i ri lidh Tiranën e sotme me Tiranën e gjeneratës tjetër. “Ky është një privilegj shumë i madh dhe sigurisht është edhe një përkëdhelje, pse mos ta them, i sedrës time si ish-kryetar bashkie, që bëra sa munda, jo aq sa desha, për të çelur pikërisht rrugën që lidh të sotmen me të ardhmen, rrugën që lidh qytetin që kemi me qytetin që duam, rrugën që lidh atë që kemi trashëguar nga të parët tanë, me atë që kemi detyrim t’u lëmë fëmijëve tanë”, theksoi Rama.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur për faktin që projekti i nisur shumë vite më parë nga Rama po finalizohet duke i dhënë gjithë zonës një mundësi të re zhvillimi.
“Ajo që është e rëndësishme është që sot është një fillim i ri. Sot është një ditë e re dhe sot pas pesë vitesh ku ne humbëm kohë, të çmuar, nga zgjedhjet e 2011 deri sot. Unë besoj se në këto 500 ditë kemi justifikuar besimin që na kanë dhënë qytetarët për të rikuperuar kohën e humbur për të mos mbajtur kokën mbrapa dhe për të projektuar Tiranën moderne ku duam të jetojmë të gjithë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Kryebashkiaku shtoi se ky Bulevard do të shndërohet në një nga pjesët më të rëndësishme të kryeqytetit, pasi aty do të zhvendosen një pjesë e mirë e institucioneve qeveritare dhe zyrave administrative të qytetit.