Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njoftoi se vetëm 3 fidera paraqesin difekt mëngjesin e sotëm. OSHEE informon edhe për zonat të cilat janë aktualisht pa energji elektrike.
Në rajonin e Tiranës, pa energji elektrike është një pjesë e rrugës Babe Rexha, pallati 148/1 tek rruga Konferenca e Pezës, pasi janë dëmtuar dy dalje në TU tek Kabina Blloku i Uzinës, si dhe zona pranë shkollës Çajupi, ku është djegur transformatori i kabinës.
Në rajonin e Shkodrës, janë pa energji rreth 20 abonentë në lagjet Dushkë dhe Zvine në fshatin Berishë si dhe zona Shtuf në Zues. Në rajonin e Kukësit, pa energji elektrike janë 3 konsumatorë në fshatin Sezem.
Në rajonin e Durrësit, sipas OSHEE, pa energji elektrike janë fshatrat Katund Sukth, Katund i Ri/Shijak. Në rajonin e Elbasanit është pa energji elektrike një pjesë e fshatit Pajovë/Peqin.
Në rajonin e Korçës, janë pa energji fshatrat Osoje dhe Gjikas për shkak të një difekti në linjën e furnizimit me energji. Në Gjirokastër janë pa energji zonat Gllavë e Madhe , Gllavë e Vogël dhe Danaj. Në rajonin e Vlorës është pa energji një pjesë e lagjes 24 maji, ndërsa zona Aranitas në rajonin e Fierit është pa energji elektrike për shkak të djegies të kabinës.
OSHEE informoi edhe për zonat në të cilat është bërë e mundur furnizimi me energji. “Autostrada Maminas/Shijak në rajonin e Durrësit, qyteti Këlcyrë në rajonin e Gjirokastrës, dhe Fushë Gjorm/Lac në rajonin e Burrelit po furnizohen me energji”, bën të ditur OSHEE.