Vendi do të vijojë të jetë i përfshirë nga ngrica dhe reshje dëbore të lehta edhe në dy ditët në vijim dhe vetëm në fundjavë temperaturat do të njohin një rritje të lehtë.
Meteorologia Lajda Porja në një prononcim në media, bëri të ditur të martën se gjatë ditës së sotme dhe nesër do të ketë vranësira, ndërsa nuk do të mungojnë as reshjet e dëborës në zonat bregdetare, të cilat do të jenë në formën e flokëve të dëborës.
Në zonat juglindore, bërit të ditur ajo, reshjet do të jenë me një intensitet më të lartë.
“Vetëm të premten dhe gjatë fundjavës do të ketë një rritje të temperaturave”, tha ajo.
Gjatë orëve të natës temperaturat në zonat malore kanë shkuar deri në -19 gradë celsius, duke krijuar probleme në qarkullimin në rrugë dhe jetën e përditshme të banorëve në zonat e thella malore.
Por sipas Emergjencat Civile reshje dëbore nuk ka pasur në pjesën më të madhe të vendin, ndërkohë që sot në mëngjes kanë nisur të bjerë një dëborë e lehtë në bashkitë Sarandë, Pukë dhe Dibër.
Saranda është zgjuar ditën e sotme e zbardhur nga dëbora, e cila mungonte në këtë qytet thuajse prej 16 vjetësh.
Të gjithë akset rrugore kombëtare janë të qarkullueshme, disa pjesërisht me zinxhirë. Firmat kontraktore vazhdojnë të punojnë me forcat dhe mjetet e tyre, duke pastruar borën dhe hedhur kripë e skorie në rrugë, sidomos në segmentet problematike.
Pak ditë më parë, dëbora mbuloi thuajse gjithë territorin e vendit, duke shkaktuar probleme të shumtë sidomos në zonat veriore. Javën e shkuar edhe qyteti i Durrësit u përfshi nga reshje të lehta dëbore.