Drejtori i Aviacionit Civil, Flamur Çelaj së bashku me stafin e këtij institucioni kanë birësuar 2 fëmijë autikë të cilët do të marrin trajtim për një vit në një prej qendrave të specializuara në Tiranë.
Ata janë fëmijët e një punonjësi policie dhe të një mësueseje, ndërsa fondet për pagesën e trajtimit u siguruan nga kontributi i punonjësve të Aviacionit Civil. Çelaj, i sapo mandatuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të qenë deputet, tha se akte të tilla bamirësie duhet të kthehen në një traditë të përvitshme.
“Birësimi nënkupton trajtimin për një vit në qendra të specializuara dhe kostot e këtij trajtimi do të mbulohen nga stafi i Aviacionit Civil”, tha Çelaj.
Prindërit, në pamundësi për të bërë asgjë që ta ndyshojnë realitetin për të vegjlit e tyre, falenderojnë Aviacionin Civil dhe apelojnë që edhe fëmijët e tjerë të përfitojnë nga akte të tilla bamirësie. Kostoja e birësimit për 1 vit kap vlerën e 6 milion lekëve. Aviacioni Civil, nën drejtimin e Flamur Çelajt, një vit më parë ka bërë edhe dy akte të rëndësishme bamirësie në Vlorë, një në kopshtin dy, i cili u vandalizua dhe në shkollën për fëmijët me aftësi të kufizuara.