Nën të ftohtin e acartë që po përjeton Tirana dhe gjithë Shqipëria, kryebashkiaku Veliaj dhe institucioni që ai drejton kanë marrë të gjitha masat që të ketë përkujdesje për të pastrehët, të pamundurit dhe të moshuarit.
Falë ndihmës dhe përkujdesit në kohë, ndonëse temperaturat në kryeqytet arritën deri në -11 gradë, nuk pati asnjë viktimë nga i ftohti, siç ndodh në qytetet e tjera, ndërsa vetë Veliaj përveshi mëngët dhe i erdhi në ndihmë qendrave ditore sociale, duke shpërndarë vetë ushqimin për të pastrehët.
Për të folur për këto por edhe për projektet e Tiranës, Erion Veliaj zgjodhi sot studion e emisionit “Njerëz në Fokus” të gazetares Ola Bruko, ndërsa përballë kryebashkiakut ishin dy gazetarët Rezarta Delisula dhe Mariglen Mërtiri.
Keni bërë paralajmërime për kushtet e motit dhe mirë keni bërë…Na tregoni të gjitha masat që keni marrë?
Erion Veliaj: Motin nuk e kemi në dorë, por kur të vjen në derë duhet ta përballosh. Zgjodhëm të mos bënim analizë por kur kuptuam që ishte diçka e pazakontë, pasi njerëzit në Tiranë para ca ditësh e pinin ende kafen jashtë dhe ardhja kaq e bëftë e përkeqësimit të motit na bëri të kuptonim që duheshin marrë masa. Vetëm insistimi i një komshiu çonte zjarrfikësin tek dera e një të moshuari. Janë shpëtuar pafund jetë njerëzish, jemi ende në proces. Vetëm mbrëmë dhamë zgjidhje për 133 persona në situatë rruge.
Si ndihmohen të pastrehët?
Erion Veliaj: 4 qendra funksionojnë në mënyrë të përditshme, për banorë permanetë por në rastin konkret kemi pasur fluks më të madh pasi të pastrehët vijnë edhe nga rrethet. Kemi hapur 7 qendra të tilla në këto kushte.
Ata njerëz do i rikthehen rrugës pasi të kalojë i ftohti? Si do bëjmë që të mos mbeten aty?
Erion Veliaj: Ka nga ata njerëz që i kanë familjet. Kemi gjetur dy fëmijë në situatë rruge, pasi ishin zënë me familjen dhe i kishin nxjerrë jashtë, kemi ish-të burgosur që duhet t’i bashkohen familjeve
Rezarta Delisula: Ju keni deklaruar se do i hiqni kujdestarinë familjeve që lënë fëmijë në rrugë?
Erion Veliaj: Ne u habitëm natën e parë që gjetëm 2 fëmijë në rrugë, por pas atij rasti nuk ka pasur më. Është normale që qytetet me mëdha prodhojnë të tilla drama, por ajo që na habiti është se pamë fëmijë që kishin familje të larguar pas një konflikti banal. Sigurisht që jam i përgatitur të mbaj atë që kam thënë.
Mariglen Mertiri: Problematika më e madhe është për personat me aftësi të kufizuar. Një pjesë e tyre nuk pranojnë të qëndrojnë në qendra, dhe rikthehen në rrugë…
Erion Veliaj: Është e vërtetë. Është në konsultimet me ministrat e linjës, kemi diskutuar nevojën që personat me probleme psikike të strehohen në qendra specifike për trajtimin e këtyre rasteve. Edhe pse në qendrat sociale ka punonjës socialë, këto situata janë të pranishme. Por duke qenë sa tani gjendemi në kushtet e motit të ftohtë, nuk mund të marrim nisma të kësaj natyre.
Ola Bruko: Qytetarët ankohen se ka ngrirë uji?
Erion Veliaj: Nëse do të kisha një buton që e shkrin ujin e gjithë Tiranës, do e kisha shtypur. Por kjo nuk është e mundur. Ne jemi në një situatë ku prej vitesh janë vënë depozita në tarracat e pallateve, dhe këto kanë ngrirë. Në pallatet ku instalimet janë bërë siç duhet, dhe depozitat janë në vendet e duhura, uji nuk ka ngrirë. Situata është normale. Në zona të tjera të vendit që janë mësuar me motin e ftohtë janë marrë masat, duke mbuluar sahatet e tubacionet e ujit.
Rezarta Delisula: A ka investime paralele edhe në kanalizime? Me këtë rritje dendësie popullsie, ku po shkojmë me këto kanalizime?
Erion Veliaj: Kemi punuar në shumë zona në Tiranë. Kemi punuar në zonën e Bregut të Lumit. Bashkia e Tiranës, tek zona “Don Bosko” nuk ka dhënë asnjë leje. Por me ndërtimet e bëra aty, duam s’duam duhet të veprojmë në situatën ku jemi. Duke parë rrethanat ne kemi bër ëmë të mirën. Me këtë dendësi popullsie ne kemi këto mundësi në të cilat po veprojmë. Ujërat në Tiranë derdhen në Lanë dhe në lumin e Tiranës. Disa pallate janë nën nivelin e Lanës nuk mund të shkarkojnë ujin kur Lana fryhet. Në këtë sens duhet pritur ato 2 orë sa të shkarkohet Lana. Sot qyteti është disafishuar. Në një ditë në vit kur për dy orë ndodh kjo që ndodh, çfarë mund të bëjmë. Disa pallate janë ndërtuar mbi kolektorë, cilin pallat të prishim. Kush del vullnetar për këtë. Po kjo s’mund të bëhet. Ndaj po përpiqemi të veprojmë me mundësitë që kemi./a.m.