Mbretëresha britanike, Elizabeth II, është rishfaqur në publik pas thuajse një muaji mungesë, kjo për shkak të një infeksioni në rrugët e frymëmarrjes që nga Bakingam palas u identifikua si një i ftohtë i vështirë.
Sovranja gati shekullore është filmuar teksa hynte në kishën e Shën Meri Magdalenës, afër rezidencës së saj në Sandringham, në Norfolk, ku ajo ka qëndruar që nga Krishtlindjet, nën shoqërinë e Princit Filip. Ajo u duk në formë të mirë, ishte e buzëqeshur dhe kishte veshur një kostum bojëqielli.
Ditët e shkuara mediat aluduan jo pak për gjendjen e sovranes, pavarësisht garancive që vinin nga oborri mbretëror, kjo pasi mbretëresha mungoi në meshën e krishtlindjes dhe atë të vitit të ri, gjë që nuk kishte ndodhur më parë, përcjell TCh.
Javët e shkuara, Elisabeta kishte anuluar udhëtimin me tren për në Sandringham, ku zakonisht kalojnë sezonin e festave të fundvitit, dhe kishin zgjedhur të shkonin atje me helikopter, përgatiti Express. (b.an)