Nga Afrim Krasniqi
Instituti i Studimeve Politike ka vijuar monitorimin e institucionit të Parlamentit edhe gjatë sesionit të vjeshtës, – shtator-dhjetor 2016. Kuvendi mbetet institucioni kryesor vendimmarrës në sistemin politik shqiptar, është institucioni kryesor politik dhe qëndron në qendër të vëmendjes publike. Për këtë arsye aktet dhe bilanci i punës së tij është e lidhur dhe reflektohet tek të gjitha institucionet e tjera, përfshirë edhe shoqërinë, publikun dhe qytetarët votues e jo votues. Në sondazhe të ndryshme, shumica absolute qytetare ka pritshmëri të larta nga parlamenti, – pret vendime, ligje, reforma, të cilat të mund të përmirësojnë jetën e tyre dhe të zgjidhnin disa prej problemeve të shumta me të cilat përballet vendi.
Gjatë sesionit të parë 2016 parlamenti miratoi 145 akte, rreth 41 më shumë sesa gjatë sesionit të vjeshtës 2016. Konkretisht, gjatë katër muajve të punës në sesionin e dytë parlamentar (shtator-dhjetor 2016), Kuvendi ka miratuar 104 akte, nga të cilat, vetëm 22 janë ligje të reja. Ditët rekord të ligjeve në parlament mbeten 10 dhe 27 tetori, gjatë të cilave u miratuan katër ligje pjesë të paketës së reformës në drejtësi. Më shumë akte parlamentare janë miratuar ditën e fundit të punimeve të Kuvendit, më 22 dhjetor, rreth 17 akte, – një tregues se deputetët nxitonin për pushimet e fundvitit dhe mbylljen e sesionit, ndaj edhe treguan vullnet votimi në “sasi” të akteve ligjore, në kontrast të thellë me seancën e parë të shtatorit 2016, kur deputetët votuan vetëm 1 akt parlamentar. Me të njëjtën logjikë, megjithëse në dhjetor 2016 u zhvilluan vetëm 3 seanca parlamentare, nga 4 seanca në tetor e nëntor dhe 5 seanca në shtator 2016, në dhjetor janë miratuar shumë më tepër akte parlamentare sesa në secilin nga muajt e tjerë.
Numri i akteve është tregues i punës sasiore të Kuvendit, kurse brendësia e tyre është çështje e cilësisë së akteve dhe cilësisë së aktivitetit të deputetëve/Kuvendit. Referuar të dhënave cilësore të akteve, rezulton se numri më i madh i akteve është i natyrës procedurale (rend dite – axhendë, ndryshim në komisione, ndryshim në afate pune, etj). Konkretisht kjo kategori procedurale zë 32% ose një të tretën e totalit të akteve. Mendimet e ligjeve të ndryshme zënë kategorinë e dytë të akteve, me 26% të totalit. Rreth një e pesta e akteve parlamentare janë ligje (21%). Rezolutat e Kuvendit zënë vetëm 1% të akteve, kurse procedurat zgjedhore (zgjedhjet në KQZ, në Bordin për hapjen e dosjeve, etj), si dhe ratifikimet e marrëveshjeve të ndryshme zënë përkatësisht 9-10% të akteve të parlamentit. Në total kemi 2 rezoluta, 10 procese zgjedhore në parlament dhe 10 ratifikime, 22 ligje, 27 amendime ligjore dhe 33 praktika procedurale vendimmarrëse.
Sesioni i dytë (shtator – nëntor 2016) zë katër muaj, 17 javë dhe rreth 130 ditë. Në shifra krahasimore rezulton se parlamenti çdo 5-6 ditë ka miratuar një ligj, çdo 4-5 ditë ka bërë një amendim ligjor dhe çdo 65 ditë ka miratuar një rezolutë. Referuar praktikës shqiptare shifrat nuk janë shumë alarmante, por referuar praktikës së vendeve të tjera më të suksesshme në jetën institucione e demokratike shifrat janë dukshëm alarmante. Llogaria është e thjeshtë: 140 deputetë dhe 20 ministra kanë arritur të prodhojnë vetëm 1 ligj në 5-6 ditë, (në javë, përfshirë të dielën).
Statistika nuk tregon vetëm varfërinë në praktikat e hartimit të ligjeve dhe në nismat për reforma ligjore serioze, por edhe koston e lartë që taksapaguesit përballojnë për deputetë e ministra, të cilët kanë pasur bilanc kaq minimal të propozimit dhe miratimit të ligjeve të reja. Numri i lartë i amendimeve ligjore është tregues i brishtësisë së ligjeve në vite dhe praktikës së “arnimit” të ligjeve, kryesisht për shkak të kontrastit midis ligjeve dhe zbatimit të tyre praktik, ose për shkak të interesave politike ose klienteliste afatshkurtra për të përfituar përmes amendimeve ligjore. Kjo tezë kritike përforcohet nisur edhe nga fakti se amendimet ligjore janë kryesisht në fushën e taksave, financave, etj, dhe se çështjet më të debatueshme parlamentare ishin e mbeten edhe për janarin 2017, çështja e importit të mbetjeve dhe taksave për kazinotë.