Ish-Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi në një intervistë për “TemA” është shprehur në lidhje me mundësinë e thirrjes së kreut të PD Lulzim Basha në Gjykatën Speciale për krimet e luftës. Klosi thotë se pavarësisht se nuk e di rolin që ka luajtur Lulzim Basha në grupet faktmbledhëse në Kosovë, ai ka gabuar që e ka pranuar këtë punë. Pasi sipas tij nuk duhej të kishte ndihmuar ndërkombëtarisht për dënimin e shqiptarëve. Madje të dënoheshin për sajesa të serbëve ndërkohë që UÇK luftonte për çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e qytetarëve të saj nga genocidi dhe deportimi nga vendi i tyre.
Ish-kreu i SHISH shprehet se dhe akuza për transplant organesh në të ashtuquajturën “Shtëpi e verdhë” në një fshat të Burrelit është një sajesë e serbëve, pasi një gjë e tillë nuk mund të kishte kaluar pa u vënë re nga shërbimet sekrete shqiptare por dhe të huaja në Shqipëri. Aq më tepër që ishte e pamundur të bëhej një gjë e tillë për shkak të infrastrukturës. Për të ka qënë gabim ardhja e Bashës në Shqipëri në këtë mision, ndërkohë që shmangien e Bashës si kryetar i PD tashmë për të dhënë një deklaratë sqaruese për këto akuza të rënda është shumë shumë dyshuese. Ai sipas Klosit duhet të sqarojë pozicionin e tij.
Në media si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë është hedhur ideja e një hetimi të punës së Lulzim Bashës në favor të serbëve në lidhje me krimet e UÇK ndaj popullatës serbe. Komenti juaj, si ish-kreu i SHIK në atë periudhë për të cilën janë këto akuza?
Normalisht një shqiptar nuk duhet të ndihmojë që të dënojë ndërkombëtarisht shqiptarë të tjerë. Aq më tepër që UÇK dhe luftëtarët e saj luftonin për një kauzë të drejtë, çlirimin e vendit nga pushtimi serb dhe shpëtimin e vendit nga genocidi. Pasi ishin vrarë shumë njerëz të pafajshëm në zona të tëra shqiptare në Kosovë, ishin deportuar për në Shqipëri mbi një milionë shqiptarë të Kosovës, që solli dhe reagimin e OKB dhe NATO-s dhe që ndodhi ajo që nga bombardimet e NATO-s dhe lufta e luftëtarëve shqiptarë të UÇK u çlirua Kosova.
Prandaj unë them se më është dukur e paarësyeshme që Basha ta bënte këtë punë. Mund ta bënte kush të donte, kushdo tjetër dhe jo një njeri që është shqiptar.
Ish-shefi i UNMIK në Kosovë ka deklaruar në një intervistë se Lulzim Basha ka qënë me të gjatë mbledhjes së fakteve për krimet e shqiptarëve ndaj serbëve. Për më tepër ai ka thënë se Basha e kishte dosjen…?.
Nuk e di rolin konkret përveç përkthyesit, por besoj se ai ka kryer detyrën për të cilën është ngarkuar dhe ndoshta e ka bërë dhe më shumë se sa duhet. Këtë mund të them dhe të ripërsëris dhe njëherë se një shqiptar nuk duhej ta kishte bërë këtë punë, duhej ta kishte refuzuar. Eshtë shumë vështirë të shkruash kundër shqiptarëve në një situatë të tillë në të cilën ata ndodheshin në atë kohë, kundër serbëve. Duhej ta kishte refuzuar them dhe nuk duhej ta kishte bërë, megjithatë nuk e di çfarë roli konkret dhe specifik ka pasur Basha në atë kohë kur janë bërë këto misione faktmbledhësë. Di që ka qënë vetëm përkthyes.
Po ai ka qënë deri në një fshat të Burrelit te e ashtuquajtura “shtëpi e verdhë” për të hetuar “transplantin e organeve” siç kanë akuzuar serbët…?
Akuzat për transplant organesh në një shtëpi të një fshat periferik të Burrelit unë i kam quajtur një histori të sajuar prej serbëve, për të hedhur baltë mbi luftën e UÇK-së. Aq më tepër që pretendimet të tilla janë shfaqur shumë kohë pas përfundimit të luftës, dhe janë ndërmarrë misione të tilla faktmbledhëse.
Çfarë halli kishin kishin luftëtarët e UÇK dhe çfarë aktivitetesh pretendohet t’u vishet atyre nga ana e serbëve, gjë që më duket shumë absurde. Ata ishin në rrezik për kokën e tyre dhe luftonin me një nga ushtritë më të fuqishme dhe më të mirëpajisura në Evropë dhe nuk besoj se kanë pasur në mendje për të fituar nga një aktivitet të tillë para, aq më tepër në Shqipëri.
Aq më tepër që në pozicionin që unë kam mbajtur në atë kohë, duhej të më kishte rënë në vesh një gjë e tillë, që për më tepër tani shumë vite pas dalin dhe ridalin pretendime të tilla të serbëve. Kemi qënë shumë afër me luftëtarët e UÇK dhe në një mënyrë apo në një tjetër do të na kishte rënë në vesh një gjë e tillë. Për më tepër ishte e pamundur që të mos e merrnim vesh ekzistencën e një shtëpie të tillë ku bëheshin gjëma të tilla, një shtëpie në një fshat në periferi të Burrelit siç pretendohet për “shtëpinë e verdhë”. Unë nuk e kam besuar kurrë në një gjë të tillë dhe nuk e beosj as sot.
Ne kishim vështirësi të transportit, rrugëve, mjeteve dhe nuk mund të bëhej dhe sikur ta kishte ndonjë mendje e mbrapshtë në mendje ta bënte. Por të vinin njerëz nga kufiri i Shqipërisë me Kosovën dhe deri në Burrel, më saktë në një fshat në periferi të Burrelit, pa u kuptuar nga ne, mua më duket praktikisht e pamundur.
Akuzat ndaj Bashës janë hedhur që nga Kosova dhe e fajsojnë atë për gjithçka ndodh…?
Lulzim Basha ka gabuar, ose mund të ketë bërë detyrën e kundërt. Ai komision ka nxjerrë përfundim se nuk ka ndodhur asnjëherë transplant organesh në Shqipëri, në fshatin periferik të Burrelit dhe askund tjetër. Unë nuk e di cili është kontributi i Bashës në këto grupe faktmbledhëse, ka qënë përkthyes, ka pretenduar se ka apo s’ka krime të tilla. Ai duhej ta kishte thënë diçka publikisht për të gjithë opinionin publik shqiptar në të dy anët e kufirit dhe ta kishte mbyllur, të ishte deklaruar njëherë.
Por deri më tani asnjë fjalë nuk ka thënë me gjithë akuzat që janë hedhur ndaj tij, është shmangur. Kjo nuk më pëlqen. Sidomos sot që është personazh shumë i rëndësishëm i politikës shqiptare dhe është normnale të bëhet një deklaratë nga ana e tij, ku të shpjegojë pozicionin e tij në ato grupe, me se është marrë dhe ku ka kontribuar realisht. Të gjitha akuzat për UÇK dhe shqiptarët kanë qënë më shumë hamendje, se sa fakte./tema/a.k