Linda Halimi, fituesja e festivalit të fundit në RTSH, ka qenë e ftuar pasditen e djeshme në programin “Rudina”, në Tv Klan, për të rrëfyer emocionet e fundit pas trofeut, përgatitjet e nisura për variantin e këngës së saj në Eurovision, si dhe projekte të tjera të reja që e presin gjatë këtij viti.
E pyetur për “përplasjen” e kulturave dhe për përballjen me paragjykimet, Linda thotë se tashmë ajo ka fituar imunitet. Si e para këngëtare që ka thyer ҫdo tabu, ajo as nuk e fajëson popullin shqiptar që e vuri me “shpatulla pas murit” për zgjedhjen e jetës së saj: “Paragjykime kam ndierë gjithë kohën, madje tashmë jam bërë imune ndaj tyre, mirëpo nuk mund ta fajësoj popullin shqiptar që paragjykon. Ne nuk kemi pasur mundësi të dalim jashtë dhe të jemi më mendjehapur. Megjithatë, ata që më njohin dhe që e dinë se ҫ’karakter kam, më kanë mbështetur. Për mua jemi të gjithë njerëz si racë dhe nuk bëjmë dallimin e ngjyrave. Familja ime më ka mbështetur gjithë kohën, sepse ata kanë respektuar zgjedhjen time. Ai është një person që më rri gjithmonë mbrapa. E kam si asistent personal. Ai i do, ndoshta edhe më shumë se unë, sukseset e mia, është gjithmonë aty, ndaj jam shumë e lumtur për këtë.”
Davon ka lindur në Amerikë, por me origjinë është nga Xhamajka. Ndaj edhe planet e ҫiftit për një ceremoni martese, së shpejti, janë në një ishull në vendlindjen e tij: “Kemi bërë kurorëzimin në New York, por ceremoninë akoma jo. Familja ime jeton në Zvicër, ndaj nuk vijnë dot. Kemi probleme me vizat. Plani i dasmës është në Xhamajka, po mendojmë që ta bëjmë në ishull ceremoninë….”
Nëse familja do të shtohet me një pjesëtar të ri, është akoma herët për të folur. Linda tregon se i do shumë fëmijët, por akoma nuk ëhstë e gatshme për t’iu përkushtuar: “Ndoshta kur të mbush 30 vjeҫ” – thotë ajo me dëshirën se edhe ky moment në jetë duhet të jetë i menduar mirë. Për momentin, ajo ka shumë projekte që e presin dhe një kompeticion në të cilin nuk do të prezantojë vetëm veten, por edhe Shqipërinë e Kosovën.