Në 22 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë kërkesën e Partisë Demokratike për rrëzimin e ligjit të Vetingut, por nuk ka publikuar ende vendimin e arsyetuar, duke pamundësuar zbatimin e ligjit. Gjykata nuk ka shkelur afatin e parashikuar në ligj, për zbardhjen e vendimit të arsyetuar, por meqenëse zbatimi i ligjit të Vetingut ka marrë një rëndësi historike, tashmë kusht kryesor për çeljen e negociatave, Kushtetuesja mund ta zbardhte vendimin me të njëjtën emergjencë siç konfirmoi kushtetutshmërinë e ligjit.
Ligji i ndryshuar për Gjykatën Kushtetuese, i cili ka hyrë në fuqi në nëntor të vitit 2016, parashikon që vendimi i arsyetuar plotësisht publikohet brenda 30 ditëve pas arsyetimit të përmbledhur. Po ashtu, neni 26 i ligjit për Kushtetuesen parashikon që publikimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese bëhet jo më vonë se 15 ditë nga depozitimi i tyre për këtë qëllim në Qendrën e Botimeve Zyrtare. Referuar ligjit të ndryshuar, Kushtetuesja ka afat edhe 14 ditë për të publikuar vendimin e arsyetuar për Vetingun. Gjithsesi, pavarësisht konfirmimit të Vetingut, thjeshtë ankimimi i ligjit, koha e shqyrtimit dhe vonesa në zbardhjen e vendimit të arsyetuar, duket se u ka dhënë kohë të mjaftueshme gjyqtarëve dhe prokurorëve për të kamufluar pasuritë e pajustifikuara me burime të ligjshme.
Dorëzimi i deklaratave
Neni 31 pika i ligjit nr. 84/2016 për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur ndryshe si ligji i Vetingut, parashikon që subjekti i rivlerësimit dorëzon deklaratën e plotësuar nga fillimi pranë ILDKPKI brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi e ligjit. Për shkak se ligji i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese pasi kishte hyrë në fuqi, gjyqtarët dhe prokurorët, pas publikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës dhe vendimit të tij në Fletoren Zyrtare, do të kenë vetëm disa ditë kohë për të dorëzuar pranë ILDKPKI dosjet e pasurive.
Në kërkesën drejtuar gjykatës për rrëzimin e Vetingut, Unioni i Gjyqtarëve, ndër të tjera, ankohej për kohën e pamjaftueshme prej 30 ditësh për të dorëzuar deklaratat e pasurisë pranë ILDKPKI.
Mungesa e dokumentacionit
Unioni i Gjyqtarëve, në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e ligjit të Vetingut si në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese, është shprehur se gjyqtarët nuk kanë dokumentacion për të justifikuar pasuritë para fillimit të detyrës.
“Provimi i burimeve të ligjshme për pasuri të vëna përpara detyrës për të dhe për familjarët, është një kërkesë që nuk plotëson asnjë qëllim, por thjesht kërkon të penalizojë subjektet, për pamundësinë e tyre për të gjetur dokumente. Dhe një rrezik i tillë është real, duke patur parasysh kohën e gjatë që mund të ketë kaluar që nga krijimi i pasurisë, rrethin e subjekteve të deklarimit, faktin që familjarët, apo subjektet mund të kenë punuar në emigracion të pasiguruar, apo faktin që ekonomia shqiptare ka qenë informate dhe pavarësisht punës së ndershme, të ardhurat nuk mund të provohen dhe të klasifikohen edhe ligjërisht si burime të ligjshme fitimi pavarësisht se, nuk kanë rrjedhur fare nga detyra, apo abuzimi i subjektit me të”, kanë pohuar gjyqtarët.
Zvarritja
Gjykata Kushtetuese po u jep një tjetër frymëmarrje 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët duhet të dorëzojë pranë ILDKP dokumentacionin ligjor për justifikimin e pasurive ose të largohen nga sistemi i drejtësisë
Afati
Ligji i ndryshuar për Gjykatën Kushtetuese, i cili ka hyrë në fuqi në nëntor të vitit 2016, parashikon që vendimi i arsyetuar plotësisht publikohet brenda 30 ditëve pas arsyetimit të përmbledhur.