Pas disa problemeve që kishte pasur Aeroporti i Prishtinës gjatë fundjavës për shkak të motit të ligë, ai është rihapur përsëri, bëhet e ditur përmes një deklarate për media.
Moti i keq ka detyruar zyrtarët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” të anulojnë ose të ndërrojnë drejtim të të gjitha fluturimeve në ardhje, transmeton Koha.net.
Sot janë realizuar fluturimet Bazel – Prishtinë dhe anasjelltas, Prishtinë – Zurich, dhe Stamboll- Prishtinë, thuhet në komunikatë.
46 fluturime për sot ishin të planifikuara, dhe deri më tani janë realizuar 7 fluturime, 5 shkuarje e 2 ardhje, ndërsa pritet të realizohen edhe 8 fluturime, ka konfirmuar Unidon Krasniqi, zëdhënës i aeroportit.
“Janë realizuar 7 fluturime, 5 shkuarje e 2 arritje e presim që të realizohen dhe 8 fluturime që ende janë në plan të operohen në orët e vona të mbrëmjes, disa fluturime për shkak të kushteve të rënduara atmosferike janë anuluar, ndërsa një pjesë e tyre janë transferuar dhe pritet të realizohen nesër”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. (b.an)