Qarku i Shkodrës është një nga zonat më të prekura nga reshjet e dëborës, me dhjetëra fshatra që rezultojnë të bllokuara për shkak të mospastrimit dhe moshedhjes së kripës në rrugë.
Grupi i xhirimit të Top Channel ka udhëtuar në aksin nacional që lidh Shkodrën me Thethin dhe ka konstatuar se të vetmet mjete që ishin në punë ishin ato të Emergjencave Civile dhe të ushtrisë.
Përballë kësaj situate, drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi i ka bërë thirrje policisë dhe prokurorisë që të hetojnë menjëherë këtë situatë.
“Në këto segmente rrugore të rajonit të Malësisë së Madhe nuk kam parë asnjë mjet të kompanive private që të punojnë. Ky është një apel që të veprojnë organet kompetente për të hetuar ndaj atyre që abuzojnë me fondet e shtetit. Drejtoria e Krimit Ekonomik dhe Prokuroria duhet të kryejnë detyrat. Prokuroria ka kompetencë të nisë hetimet kryesisht sapo të dëgjojë në media që rruga është e bllokuar dhe se firmat private nuk janë në punë”, ka thënë Prençi.
Edhe kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj ka paraljmëruar firmat kontraktore. “Disa firma nuk kanë treguar seriozitetin e duhur, pavarësisht thirrjeve të qeverisë dhe neve si bashki. Realisht nuk kanë qenë të përgatitur me mjete dhe kripë dhe ne do të nisim një çështje ligjore. Do të marrim masa”, ka thënë Marinaj./a.m.