Pas lajmit të shpërndarë në mediat për një bashkim të partive shqiptare në Maqedoni, lëvizja Besa ka hedhur poshtë krijimin e një koalicioni të tillë duke u shprehur se kjo lëvizje nuk do të hyjë në asnjë koalicioni ku është edhe BDI.
I kontaktuar nga Ora News, zëdhënësi i lëvizjes Besa Orhan Myrtezani citoi kryetarin e partisë Bilal Kasami, i cili është shprehur se nuk do të komentojë spekulimet që kanë qëllime të caktuara.
Zëdhënësi Myrtezani shprehet se kryetari i Besës ka nënvizuar se kjo lëvizje ka dalë disa herë me qendrim zyrtar lidhur me këtë çëshjte dhe i qëndron asaj që ka thënë: “Ne kemi organet tona partiake që marrin vendime në mënyrë autonome”.
Ndërkohë mediat në Maqedoni raportuan sot se lideri i LSDM-së sot është takuar me kreun e Lëvizjes BESA në selinë e saj në Shkup.
Pas takimit, Zaev ka deklaruar se është normale që partitë politike të takohen në këtë periudhë para formimit të qeverisë.
“Është normale që në këtë periudhë të gjitha partitë politike të takohen njëra me tjetrën. Dhe ne u pamë me këtë parti por do të shihemi edhe me subjekte tjera. Është normale që partitë politike të takohen, s’kam asgjë konkrete për të shtuar dhe për të thënë për opinionin”, tha Zoran Zaev kryetar i LSDM-së.
Në këtë takim është edhe biseduar mundësia që partitë shqiptare, të gjitha së bashku të krijojnë qeverinë e re me partinë majtiste maqedonase.
Ndërkohë, mediat maqedonase spekulojnë se edhe anëtarë të lartë të BDI-së kanë realizuar takime me VMRO-në e Nikolla Gruevskit.